Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeo.
Takimi u mbajt në Departamentin Amerikan të Shtetit.
“Kënaqësi të mirëprisja kryeministrin shqiptar sot, ku patëm një diskutim të frytshëm. Mirënjohës për partneritetin tonë të palëkundur dhe rolin e lavdërueshëm të Shqipërisë si një drejtuese sigurie në Ballkanin Perëndimor”shkruan në twitter Pompeo pas takimit.
Sipas zëdhënëses Morgan Ortagus, Sekretari Pompeo dhe Kryeministri Rama diskutuan mbi përparësitë e përbashkëta gjatë kryesimit nga Shqipëria të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
Sekretari Pompeo theksoi mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe përpjekjeve të tanishme për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore.
Sekretari Pompeo gjithashtu përgëzoi Kryeministrin për angazhimin e palëkundur të qeverisë së tij për kontributin në aleancën e NATO-s, për kundërvënien ndaj veprimtarive keqdashëse të Iranit dhe për rolin udhëheqës në rajon në mbrojtje të rrjeteve të komunikimit 5G.
Gjatë vizitës në Amerikë kreu i qeverisë shqiptare do të zhvillojë takime edhe me zyrtarë të tjerë në Uashington.