Prof. Dr. Enver Bytyçi
Më 28 nëntor deri më 1 dhjetor të vitit 1943 u mblodhën në Teheran tre liderët e mëdhenj të kohës, përkatësisht presidenti amerikan, Rooswelt, kryeministri britanik, Çurçill dhe diktatori sovjetik, Stalin. Kishin kaluar më shumë se katër vite nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore. Gjermania ishte thyer në Stalingrad dhe Italia kishte shpallur kapitullimin e saj. Ishte momenti kur do të duhej rindërtuar një rend i ri botëror. Të tri palët shprehën për herë të parë vizionin e tyre.
Këta të tre të mëdhenjtë e botës u mblodhën atëherë si fitues të Luftës së Dytë Botërore. Në fakt ata vendosën disa piketa të së ardhmes së rendit botëror. Përplasja më e madhe, ashtu si edhe sot, ishte për kufijtë lindorë të Europës, pra se deri ku do të shtrihej Bashkimi Sovjetik. Stalini përveçse kërkoi „lejen“ e dy liderëve të tjerë në takim për të asgjësuar pa gjyq 50-100 mijë oficerë gjermanë, kërkoi që kufijtë e vendit të tij të përfshinin edhe pjesën më të madhe të Polonisë. Kishte pushtuar gjithashtu Letoninë, Lituaninë dhe Estoninë. Kërkoi gjithashtu kontrollin e Finlandës nën preteksin e rrethimit të Leningradit gjatë Luftës së Dytë dhe kërkesës për garanci të sigurisë sovjetike pas luftës. E njëjta gjë po ndodh në Alaska. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov me bluzën e tij me inicialet CCCP flet qartë nga pikëpamja diplomatike se çfarë kërkon Rusia.
Janë shumë detaje të tjera, me të cilat u morën Rooswelt, Çurçill dhe Stalin në atë konferencë, por përmenda vetëm disa që të risjell një përçasje me atë që po ndodh në Alaska sot pas afër 82 vitesh. Alaska erdhi pas më shume se tri vitesh luftë agresive të Rusisë kundër Ukrainës. Pas pushtimit para 11 vitesh e më shumë të Krimesë nga ana e Kremlinit. Pasi ushtria ruse kontrollon tashmë rreth 15 përqind të territorit ukrainas plus Krimenë në lindje të këtij vendi. Pra, momenti i këtij samiti është në hark kohor proporcional me distancën kohore kur filloi Lufta e Dytë Botërore dhe u mbajt Teherani. Kjo është ana formale.
Por nuk mund të thuhet se është proporcional përfaqësimi. Ajo që ndryshon në këtë rast lidhet me aktorët që „duan të bëjnë paqen“! Atëherë nuk u thirr në Teheran Adolf Hitleri për të bërë ndonjë pakt me të. U mblodhën vetëm fituesit. Si përfaqësues i vendit fitues ishte edhe diktatori sovjetik, Stalin, i cili kërkoi dhe synonte hegjemoni të vendit të tij në kontinantin europian, së paku në Lindje të tij. Në tryezë ishin tre liderët më të mëdhenj të tri vendeve fituese kundër Hitlerit. Në këtë minikonferencën e Alaskës mungojnë përfaqësuesit e vendeve europiane të interesuara dhe mbrojtëse të Europës, përkatësisht Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Francës. Mungon edhe presidenti i vendit viktimë e agresionit fashist rus, Ukrainës. Fatet e një lufte dhe zgjidhjen e konfliktit e diskutojnë dy liderët më të fuqishëm të botës euro-atlantike, presidenti amerikan, Donald Trump dhe ai rus, Vladimir Putin.
Këta të dy janë mbledhur kësisoj jo në emër të së drejtës, por në emër të forcës. “Ne jemi më të fuqishmit, ndaj dhe ne vendosim për botën tjetër, madje edhe për fatin e kombeve që janë viktimë e terrorit shtetëror”, në rastin konkret të Ukrainës si viktimë e agresionit së paku 20 vjeçar rus kundër saj. Agresori edhe sot po sillet si fitues. Njësoj si atëherë edhe Stalini, megjithëse mbahej si fitues. Rolin e Stalinit në Alaskë e mori shefi i diplomacisë së Rusisë, Sergei Lavrov, i cili në bluzën e tij kishte të shkruar emrin e perandorisë së BRSS-së. Ndërsa Stalini në Teheran fliste me kompetencën e një fituesi të luftës në Stalingrad dhe kërkonte zgjerimin e kufijve deri në Europën Qendrore, Veriore dhe Lindore, Lavrov jep mesazhin se “Zgjidhja e konfliktit është rikthimi në kufijtë e BRSS-së”! Pra kërkon restaurimin e BRSS-së.
Nuk është hera e parë që publiku botëror gjendet para një kërkese si kjo. Presidenti Putin ka thënë disa here se “Rusisë I është bërë padrejtësi, kur u shkatërrua BRSS”! Duket qartë se lufta në Ukrainë nuk është thjesht një luftë pushtuese vetëm për Ukrainën. Ashtu si Stalini në Teheran që mbrojti sovranitetin e tij mbi Letoninë, Lituaninë dhe Estoninë në vitin 1943, edhe Vladimir Putin mbron dhe do të mbrojë sovranitetin rus në Krime dhe në Ukrainën Lindore. Dhe jo vetëm kaq. Në modelin e Jaltës do të kërkojë sundimin rus edhe në botën lindore të sferës sovjetike, përfshirë Ukrainën e mbetur, Moldavinë, Gjeorgjinë, Bjellorusinë dhe ndoshta të të gjitha vendeve të Kaukazit. Për ta lehtësuar pranimin e kësaj kërkese ai hoqi dorë gati vullnetarisht nga influenca ruse në Iran dhe në Siri. Madje edhe në Armeni.
Kryediplomati rus, Lavrov, tashmë e ka bërë krejt të qartë se për çfarë është fjala, se cila është strategjia ruse e presionit në Alaska. Alaska kësisoj do të mbetet në histori si i pari samit, ku pala agresore ruse do të parashtrojë kërkesat e saj për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ndryshe nga Teherani, kësaj radhe samiti i lutet agresorit t’I jape fund këtij agresioni. Por Vladimir Putin përmes Lavrov kërkon më shumë sesa dikush do ta imagjinonte. Kjo dëshmon se të gjitha manovrat për “mirëkuptim” dhe “zgjidhje” përmes dialogut të konfliktit në Ukrainë, kanë shërbyer që Moska të fitojë kohën e vet. Koha i duhet asaj që të gjejë mënyra, metoda dhe mjete të reja për të shtuar presionin jo vetëm kundër Ukrainës, por edhe kundër Europës dhe botës tjetër në përgjithësi.
© 2025 Argumentum