Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjykoi, se deputetët e parlamentit duhet të zgjedhin kryetarin e organit më të lartë ligjvënës përmes votimit të hapur dhe jo siç është tentuar në 27 seanca vetëm me votim të fshehtë. Lëvizja Vetëvendosja këmbëngulte që kandidatja e saj, Albulena Haxhiu, të votohet me votim të fshehtë, por deputetët e partive opozitare të deritashme nuk merrnin pjesë në votim duke e kundërshtuar formën e votimit të fshehtë dhe duke e cilësuar atë antikushtetuese. Sipas një njoftimi të datës 08.08.2025 të Gjykatës Kushtetuese, që u publikua në ditën e fundit të masës së përkohshme, grupi më i madh parlamentar duhet të propozojë kandidatin e saj dhe për të mund të votohet vetëm tri herë. Po ashtu thuhet, se konstituimi i Kuvendit duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh.
“Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme”, thuhet në njoftim. Po ashtu, sipas njoftimit, “Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës”.
Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar kryesuesin që nga seanca e radhës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës – procedimi i votimit të kryeparlamentarit – dhe njëkohësisht ka urdhëruar që gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të gjithë deputetët e zgjedhur të pranishëm dhe të votojnë.
Deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit kishin shpërfillur një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila u dha afat deri më 26 qershor të konstituonin Kuvendin. Pas kësaj, Gjykata vendosi masë të përkohshme deri më 08 gusht, si afat për shqyrtimin e dy lëndëve të dërguara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), lëndë për të cilat shpalli aktvendimin po të premten, më 8 gusht.
Reagimi i pative në opozitë: Kushtetuesja dha vendimin që prisnim
Në reagimet e para shefja e grupi parlamentar të LDK-së Hykmete Bajrami, tha se “Gjykata Kushtetuese e ka vërtetuar atë që ka thënë partia e saj vazhdimisht”.
“Prej ditës së parë e kemi thënë këtë që e vërtetoi Gjykata Kushtetuese sot: Albin Kurti e ka detyruar Avni Deharin të shkelë Kushtetutën; i njëjti kandidat nuk mund të votohet më shumë se tri herë – Albin Kurti më nuk mund ta bllokojë Kosovën për emrin e Albulena Haxhiut, sepse shteti është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër”, shkroi Bajrami.
Ndërkohë, nga PDK-ja deputetja Blerta Deliu-Kodra, tha se “Gjykata Kushtetuese dha verdiktin që e prisnim”.
“Kishim të drejtë tërë kohën: Qeverisja e Albin Kurtit, përmes Avni Deharit, ka shkelur Kushtetutën në secilën seancë që nga 1 maji. Detyruan votim të fshehtë dhe na mohuan të drejtën për votë të hapur për kryetar Kuvendi”, shkroi Deliu-Kodra në Facebook.
Edhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, tha, se me “vendimin e Gjykatës Kushtetuese për bllokadën në Kuvend ka fituar demokracia, e u rrëzua diktati”.
“Me këtë Aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese një gjë është e qartë: Kosova nuk është dhe nuk mund të bëhet diktaturë. VV duhet ta propozojë kandidat/in/en për Kryeparlamentar dhe deputetët të votojnë në votim të hapur. Nuk mund të abuzohet në pafundësi me propozim vetëm të një kandidati. Nuk mund të mbahet peng shteti vetëm për ambicie të sëmurë të një personi”, shkroi Ardian Gjini.
Vetëvendosja ende pa koment
Nga Lëvizja Vetëvendosja ende nuk e kanë komnetuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Deputetët e Kuvendit të Kosovës që nga 15 prilli deri më 26 korrik, plot 54 herë tentuan të zgjidhnin kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit, por në mungesë të konsensusit dështonin. Konstituimi i Kuvendit të Kosovës i hap rrugën krijimit të qeverisë së re. Në zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025 Lëvizja Vetëvendosja e drejtuar nga Albin Kurti doli partia e parë me 42% të votave të fituara./DW