Evropa dhe Britania e Madhe duhet të hapin ”rrugë të reja bashkëpunimi” përballë sfidave të mëdha globale, deklaroi presidenti francez, Emmanuel Macron, ndërsa mbërriti në Londër për një vizitë shtetërore treditore.
“Ne do t’i adresojmë së bashku sfidat e mëdha, si siguria, mbrojtja, energjia bërthamore, hapësira, inovacioni, inteligjenca artificiale, migrimi, kultura”, shtoi ai.
”Këto janë të gjitha fusha ku duam të veprojmë së bashku dhe të thellojmë bashkëpunimin tonë në një mënyrë konkrete, efektive dhe të qëndrueshme”, shkroi kreu i shtetit francez në rrjetin social X.
“Dëshira e shprehur e Britanisë së Madhe për t’u afruar me Bashkimin Evropian është një sinjal i fortë që e mirëpres. Na angazhon kolektivisht të hapim rrugë të reja bashkëpunimi duke respektuar interesat tona të ndërsjella”, shtoi ai.