Ikona e muzikës Pop, Madonna, i ka bërë thirrje papës Leone XIV të vizitojë Rripin e Gazës, i cili ndodhet nën bllokadën izraelite, mes një krize urie që ka shkaktuar një indinjatë ndërkombëtare.
“Ju jeni i vetmi të cilit nuk mund t’i ndalohet hyrja”, shkroi këngëtarja amerikane në platformën X.
“Ne kemi nevojë që portat njerëzore të hapen plotësisht për të shpëtuar këta fëmijë të pafajshëm. Nuk ka më kohë”, shtoi ajo.
Në 25-vjetorin e lindjes së djalit të saj, Rocco Ritchie, Madonna njoftoi gjithashtu se do të dhuronte fonde për organizatat humanitare që punojnë në Gazë.
“Mendoj se dhurata më e mirë që mund t’i jap atij si nënë është t’i kërkoj të gjithëve të bëjnë çfarë munden për të shpëtuar fëmijët e pafajshëm në Gaza”, shkroi ajo.
Një agjenci e Kombeve të Bashkuara tha javën e kaluar se kequshqyerja tek fëmijët në Gazë ka arritur nivelet më të larta.
Sipas zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), vetëm gjatë muajit korrik, rreth 12 000 fëmijë nën moshën 5-vjeçare ishin të kequshqyer – ndërsa 2 500 të tjerë vuanin nga kequshqyerja akute, forma më kërcënuese për jetën.
Izraeli kontrollon rrugët hyrëse në Gazë dhe e ka bllokuar zonën bregdetare.
Nën presionin ndërkombëtar, Izraeli së fundmi ka filluar të lejojë më shumë autokolona me ndihma në territor, ndërsa disa vende kanë hedhur nga ajri pako me ndihma.
Të dielën, grupi irlandez i muzikës “U2” kritikoi ashpër veprimet e qeverisë izraelite.
“E dimë që Hamasi po përdor urinë si armë në luftë, por tani e njëjta gjë po ndodh edhe nga Izraeli dhe unë ndiej neveri për këtë dështim moral”, shkroi këngëtari Bono Vox.