Pas 6 ditëve diskutime intensive, mazhoranca dhe opozita arritën të gjenin dakordësinë për të firmosur një marrëveshje për reformën zgjedhore nën “bekimin” e ambasadorëve. Por kjo marrëveshje është kontestuar nga opozita brenda parlamentit e cila e quan një reforme të paplotësuar pasi nuk përmban tre pikat kryesore, administratë zgjedhore, lista të hapura, votë emigrantësh”
Një ditë pas arritjes së marrëveshjes për reformën zgjedhore, përfaqësues të opozitës parlamentare zhvilluan paraditen e sotme një takim me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Yuri Kim.
Në takimin që zgjati 90 minuta ishin të pranishëm kreu i grupit demokrat në parlament, Myslym Murrizi, Edmond Stojku, kryetar i grupit Demokraci dhe Drejtësi dhe Nimet Musai, i grupit të deputetëve të pavarur.
Në një prononcim për mediat pas takimit me ambasadoren, kreu i demokratëve në Kuvend, Myslim Murrzi u shpreh i vendosur në faktin se opozita në parlament nuk do ta votonte marrëveshjen e një dite më parë pa u plotësuar 3 kushte.
“Ne shkuam për të shprehur qëndrimin tonë korrekt, të palëkundur në firmat e 39 deputetëve të opozitës në parlament, nuk votojmë asgjë në parlament jashtë asaj që kemi kërkuar prej 15 muajsh që së bashku jemi në atë parlament: administratë zgjedhore, lista të hapura, votë emigrantësh”, tha z. Murrizi./argumentum.al
© Argumentum