Nga Eljanos Kasaj*
“Mësues i mençur”, “Dielli ynë”, “Ndërgjegja më e madhe e shkencës botërore”,”Babai i Popujve”- janë vetëm disa nga epitetet dhe emrat që iu dhanë Josif Visarionoviç Stalinit gjatë “mbretërimit”të tij pothuajse 25 vjeçar në Rusinë Sovjetike(1928-1953).Qytete, rrugë, institute akademike, tanke dhe madje edhe nëndetëse u emëruan sipas udhëheqësit sovjetik. Hyjnizimi i tij vijoj më tej me kalimin e viteve, ku ai u portretizua në piktura, poema, këngë dhe u shfaq edhe në kinematografinë sovjetike por dhe atë perëndimore.
Por si filloi në të vërtet glorifikimi dhe kulti i individit të Stalinit?
Lartësimi i figurës së diktatorit gjeorgjian nga mekanizmat gjigande të propagandës shtetërore sovjetike filloi në fillim të viteve 1930. Në këtë kohë, lufta e brendshme e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik – e filluar me vdekjen e Leninit në vitin 1924 – kishte përfunduar dhe Stalini kishte fituar pushtet të plotë në vend.
Glorifikimi filloi me tezën klasike “të të parit midis të barabartëve”. Por, në vitin 1934, zhvillimi i kultit filloi të merrte vrull të shpejtë. Numri i përmendjeve të emrit dhe imazheve të tij në shtyp dhe art u rrit në mënyrë eksponenciale.
Gjatë verës së vitit 1935, fotografitë e para u shfaqën në gazetat sovjetike që përshkruanin takimet e udhëheqësit me të rininë sovjetike.
Ndërsa slogani “Faleminderit, shoku Stalin, për fëmijërinë tonë të lumtur!” i përjetësuar në fotografinë e Stalinit me vogëlushen burjate Gela(Engelsina) Ardanova Markizova u promovua në mënyrë aktive në rininë sovjetike prej gjithë edukatorëve, mësonjësve dhe kampeve të pionerëve.
Në shoqërinë sovjetike ishte pra pak-nga-pak duke u ngulitur ideja se udhëheqësi i plotfuqishëm ishte gjithmonë i hapur për komunikim joformal me popullin e thjeshtë. Imazhet e takimeve të tij me punëtorë dhe fshatarë të zakonshëm u shpërndanë gjerësisht, të cilët thuhet se mund të vinin lehtësisht nga provincat e thella në kryeqytet, t’i shtrëngonin dorën udhëheqësit dhe t’i tregonin atij për jetën e fabrikës ose kolkozeve.
Në fillim të zhvillimit të kultit të personalitetit, imazhi i Stalinit ishte i lidhur fort me imazhin e Vladimir Iliç Leninit – ku ai paraqitej si bashkëluftëtari dhe pasardhësi i tij besnik. Megjithatë, më vonë, ai gradualisht filloi ta linte në hije edhe vetë “udhëheqësin e revolucionit”! Sipas disa burimeve prej prej, Komisari Popullor për Hekurudhat, Industrinë e Rëndë dhe Industrinë e Naftës, Lazar Kaganoviç dikur ka thënë: “Ne të gjithë flasim për leninizmin, leninizmin, por Lenini vdiq shumë vite më parë. Stalini bëri më shumë se Lenini dhe ne duhet të flasim për stalinizmin. Kemi folur mjaftueshëm për leninizmin.”
Në të njëjtin vit, 1935, në Republikën Sovjetike të Gjeorgjisë, në qytetin e Gorit, vendlindjen e tij, u hap një muze kushtuar udhëheqësit sovjetik. Me kalimin e kohës, muze të ngjashëm filluan të shfaqen në të gjithë vendin dhe u bënë vende të detyrueshme për t’u vizituar nga nxënësit e shkollave dhe gjimanzeve.
Një udhëheqës i fortë dhe i patrembur, një strateg i shkëlqyer dhe, së fundmi, thjesht një person i zgjuar – kështu portretizohej Stalini në kinemanë sovjetike në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, duke filluar me filmin “Lenini në tetor” në vitin 1937.Megjithatë, nuk ishin regjisorët sovjetikë ata që e shfaqën për herë të parë “Babain e Kombeve” në kinema, por ata amerikanë. Stalini u shfaq për herë të parë në ekranin e kinemasë në filmin “Agjenti Britanik” në vitin 1934.
Ndërkaq në Bashkimin Sovjetik monumente madhështore u ngritën në nder të udhëheqësit sovjetik në të gjithë vendin. Disa nga më mbresëlënësit ishin monumenti 54 metra në Kanalin Volga-Don në Stalingrad dhe monumenti 50 metra në Jerevan të Republikës Sovjetike të Armenisë. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore(1939-1945) dhe fitores së Forcave Aleate(përfshirë dhe Bashkimit Sovjetik) një numër qytetesh, rrugësh, kolkozesh, kooperativash dhe institutesh të larta akademike në Bullgari, Rumani, Shqipëri, Hungari, Poloni, Gjermaninë Lindore, Mongoli, Kinë dhe Korenë e Veriut morën gjithashtu emrin e “Stalinit të Madh”.
Prej publikut shqiptarë(por dhe komunitetit të historianëve rus), është i njohur episodi i liderit stalinist shqiptar Enver Hoxha i cili e detyroi gjithë popullin shqiptarë të gjynjëzohej përpara monumentit(eve) të Stalinit në der dhe përkujtim të tij në vitin e vdekjes së tij më 1953. Ndërsa Kuçova do të ishte i vetmi qyetet i Bllokut Lindor i cili do të mbante për pothuaj 50-vite emrin e Stalinit, në një kohë kur ai ishte hequr përfundinisht edhe në vetë Bashkimin Sovjetik!
Sot, rreth më shumë se 70 viteve që nga vdekja e Stalinit në vitin 1953, figura e tij vijon ende të glorifikohet dhe shikohet me admirim prej një pjese të madhe të shoqërisë ruse dhe asaj gjeorgjiane,por edhe prej gjithë atyre nostalgjikëve të kohës së Bashkimit Sovjetik dhe Bllokut Lindor në Bjellorusi, Kazahstan, Kirgizstan, Bullgari, etj-duke dhënë një provë të asaj se si hija e diktatorit të vjetër gjeorgjian,” Babait të Popujve”, ende vijon të qëndrojë mbi “popujt bij dhe bijëza të tij”.
*Fakulteti i Shkencave Politike dhe Politikave Botërore,Universiteti i Wrocłw(Poloni)
/Argumentum.al