Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, ka përcjellë një mesazh me rastin e çeljes së Legjislaturës së XI-të të Kuvendit të Shqipërisë, e cila do të mblidhet për herë të parë më 12 shtator 2025, në orën 10:00.
Në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve dhe deputetëve të sapozgjedhur, Presidenti Begaj e cilëson këtë moment si një faqe të re në jetën institucionale të vendit dhe thekson rolin qendror të Kuvendit si simbol i demokracisë dhe përgjegjësisë qytetare.
“Kuvendi është hapësira ku duhet të dëgjohen dhe respektohen zërat e të gjithë shqiptarëve. Shqipëria ndodhet përpara një momenti historik drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, dhe Kuvendi ka nderin dhe detyrimin të jetë përfaqësues i kësaj aspirate”, – thekson Presidenti.
Ai nënvizon se legjislatura e re përbëhet nga deputetë me përvojë dhe të rinj, duke theksuar se përzierja e përvojës me energjinë dhe idetë e reja është pjesë e shëndetshme e proceseve demokratike.
Presidenti i bën thirrje mazhorancës për përgjegjshmëri dhe përulësi në ushtrimin e pushtetit, ndërsa opozitës i kërkon të jetë aktive, konstruktive dhe e përkushtuar ndaj rolit të saj në demokraci.
Në mesazh theksohet nevoja për cilësi në procesin ligjvënës, përfshirje më të gjerë të shoqërisë civile, medias, akademisë dhe profesionistëve dhe përpjekje të përbashkëta për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Presidenti Begaj ndalet në sfidat kryesore që vendi ka përpara: siguria, drejtësia, demografia, ekonomia, arsimi, shëndetësia, bujqësia, ndryshimet klimatike dhe inteligjenca artificiale, duke theksuar se këto kërkojnë vëmendje dhe zgjidhje të qëndrueshme.
“Kalimi nga reforma në drejtësi, te një drejtësi funksionale dhe e pavarur është thelbësor. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të jetë e vendosur”, – thekson ai.
Në arenën ndërkombëtare, Presidenti riafirmon angazhimin e Shqipërisë për integrim të plotë në BE, si dhe për marrëdhënie të forta me SHBA, NATO dhe mbështetje për Kosovën dhe shqiptarët në rajon.
Duke e përmbyllur mesazhin me një thirrje për veprim dhe rezultate konkrete, Presidenti Begaj i fton deputetët të kthejnë besimin e qytetarëve në vepra dhe shpreh gatishmërinë për bashkëpunim institucional përballë sfidave të përbashkëta.

Mesazhi i Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj,
me rastin e çeljes së Legjislaturës së XI-të
të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë
Të nderuar bashkëqytetarë,
Të nderuar deputetë,
Mbledhja e parë e Legjislaturës së XI-të të Kuvendit do të mbahet më 12 shtator 2025, në orën 10:00, duke hapur një faqe të re në jetën institucionale të Republikës së Shqipërisë.
Kuvendi është simbol i demokracisë, është hapësira ku ju, të nderuar deputetë, do t’i përkushtoheni përgjegjësisë dhe angazhimeve të marra, është hapësira ku duhet të dëgjohen dhe të respektohen zërat e të gjithë shqiptarëve.
Shqipëria ndodhet përpara një momenti historik në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në përmbushjen e këtij prioriteti madhor Kuvendi ka nderin dhe detyrimin të jetë përfaqësuesi i vizionit dhe aspiratës së shqiptarëve për një Shqipëri evropiane.
Të nderuar deputetë,
Legjislatura e re ka përgjegjësinë e vazhdimit të reformave, ndërlidhjes së funksionit ligjvënës me prioritetet dhe sfidat e vendit, përditësimit të vazhdueshëm të legjislacionit, kontrollit dhe mbikëqyrjes së qeverisjes, respektimit të normave kushtetuese, transparencës, diskutimeve konstruktive, bashkëpunimit, si dhe vendimmarrjes me urtësi në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve, interesave dhe të ardhmes së vendit.
Kjo legjislaturë bashkon deputetë me përvojë dhe të rinj të zgjedhur për herë të parë. Vazhdimësia dhe përvoja e kombinuar me mendësi, ide, energji dhe frymë të re është pjesë e natyrshme e proceseve demokratike.
Përgjegjshmëria dhe përulësia nga mazhoranca në ushtrimin e pushtetit duhet të përplotësohet nga një opozitë aktive, konstruktive dhe e përkushtuar ndaj rolit të saj thelbësor në një demokraci. Dialogu dhe respekti për dallimet janë themel i bashkëjetesës demokratike.
Të nderuar deputetë,
Procesi ligjvënës dhe cilësia e ligjeve duhet të pasqyrojnë nevojat reale të shoqërisë sonë, sfidat e zhvillimit dhe përpjekjet për drejtësi e mundësi të barabarta. Shoqëria civile, media, bota akademike, profesionistët dhe aktorë të tjerë duhen të jenë edhe më shumë të përfshirë në këtë proces. Ata janë pjesë e së njëjtës përpjekje për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë dhe më të zhvilluar.
Prioriteti madhor i anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe sfidat me të cilat përballen qytetarët dhe vendi, si ato të sigurisë, drejtësisë, demografisë, ekonomisë, zhvillimit të qëndrueshëm, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, ndryshimet klimatike, mbrojtja e mjedisit, teknologjisë dhe inteligjencës artificiale kërkojnë vëmendje dhe zgjidhje të qëndrueshme.
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një proces transformues dhe i rëndësishëm strategjik, që kërkon reforma të thella dhe angazhim të palëkundur. Përmes punës së përditshme dhe vendimmarrjeve tuaja duhet të përmbushim çdo kriter dhe të përballemi me çdo sfidë për Shqipërinë anëtare në Bashkimin Evropian.
Me rëndësi madhore për të ardhmen evropiane të vendit është kalimi nga reforma në drejtësi, te drejtësia funksionale dhe e pavarur, ku askush nuk është mbi ligjin dhe me vendosmëri luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Ndërsa jemi të angazhuar në këtë proces, Shqipëria duhet të vazhdojë përfaqësimin dinjitoz në marrëdhëniet ndërkombëtare në linjë me partnerët tanë strategjikë: BE, SHBA, NATO.
Shqipëria do të jetë e përkushtuar në mbështetjen e Kosovës dhe shqiptarëve në rajon dhe kudo, faktor proaktiv paqeje, dialogu e zhvillimi pozitiv e të gjithanshëm. Me rolin tonë urëndërtues të paqes në rajon, me cilësitë tona unike të vëllazërisë fetare, ne mund të ofrojmë ekspertizë konstruktive, nisma inovative dhe shembull frymëzues.

Të nderuar deputetë,
Secili prej jush ka marrë një besim të çmuar nga qytetarët. Kjo është koha ta ktheni atë besim në veprim. Shqiptarët presin rezultate konkrete, përmirësim të jetës së përditshme, mirëqeverisje dhe zhvillim që sjell mirëqenie.
Mbetem gjithmonë i gatshëm për të bashkëpunuar dhe mbështetur çdo nismë e dialog institucional në shërbim të sfidave të përbashkëta.
Suksese deputetëve dhe legjislaturës së re të Kuvendit, me Shqipërinë në mendje e zemër!
/Argumentum.al