Ilir Meta, Edi Rama dhe Lulzim Basha do të shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin “online”.
Këshilli i Sigurisë nuk do të mblidhet ditën e mërkurë fizikisht, por virtualisht.
Ky është vendimi që është marrë pas konsultimit mes palëve, ku është rënë dakort që të mos rrezikohet për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit.
Presidenti Ilir Meta kishte propozuar që mbledhja të zhvillohej në Pallatin e Brigadave, ku pjesëmarrësit të uleshin të paktën 1 metër larg njëri-tjetrit për të respektuar distancën e kërkuar për mospërhapjen e virusit.
Mbetet e paqartë se cili prej tre udhëheqësve ka refuzuar takimin fizik dhe ka këmbëngulur tek takimi “online”, por e sigurtë është që si Rama, ashtu edhe Basha kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim të Këshillit të Sigurisë, që mbahet ditën e mërkurë.
Presidenti Ilir Meta ka thirrur mbledhjen e këtij Këshilli për të diskutuar mbi situatën e krijuar për shkak të pandemisë së koronavirusit, ndërsa Lulzim Basha ka kërkuar nga qeveria që të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore, që sipas tij do ta detyronte ekzekutivin që të siguronte materialet jetike për qytetarët.
Shqipëria ka konfirmuar zyrtarisht 123 raste me koronavirus dhe 5 të vdekur për shkak të tij./h.e