Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Lin Jian tha të mërkurën në një konferencë të rregullt për shtypin se Tajvani është pjesë e pandashme territoriale e Kinës dhe çështja e Tajvanit është krejtësisht një punë e brendshme e Kinës e nuk mund të krahasohet në asnjë mënyrë me krizën në Ukrainë. Pala kineze kundërshton me vendosmëri çdo përpjekje për të shtrembëruar ose relativizuar natyrën e kësaj çështjeje dhe u bën thirrje palëve të përfshira të respektojnë me vepra parimin e “Një Kine”, si edhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës.
Komentet e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Kinës u bënë pasi një lider evropian, gjatë pjesëmarrjes në Dialogun e Shangrila-së, bëri një krahasim mes çështjes së Tajvanit dhe krizës së Ukrainës, duke nënkuptuar “kërcënimin e Kinës” në Detin e Kinës Jugore dhe duke u shprehur se NATO-ja ka arsye të përfshihet në rajonin e Indo-Paqësorit.
Lin u shpreh se situata në Detin e Kinës Jugore mbetet në përgjithësi e qëndrueshme dhe nuk ka asnjë pengesë për lirinë e lundrimit dhe fluturimit. Kina ka qenë gjithmonë e mendimit se mosmarrëveshjet detare duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut dhe negociatave me palët e përfshira, duke respektuar faktet historike. Vendet jashtë rajonit duhet të respektojnë përpjekjet e vendeve rajonale për të ruajtur paqen e qëndrueshmërinë dhe nuk duhet të nxisin përçarje apo tensione.
Zëdhënësi i diplomacisë kineze vuri në dukje më tej që NATO-ja është një aleancë ushtarake e mbrojtëse rajonale dhe ajo nuk ka të drejtë të kapërcejë kufijtë gjeografikë të përcaktuar në traktatin e saj ose të përpiqet ta zgjerojë autoritetin përtej mandatit të vet. Sipas tij, Kina kundërshton me vendosmëri përpjekjet për “zgjerimin e NATO-s drejt Lindjes në Azi”, të cilat krijojnë tension, nxisin konfrontim dhe dëmtojnë paqen dhe qëndrueshmërinë rajonale e globale. Vendet e Azi-Paqësorit nuk e mirëpresin zgjerimin e NATO-s dhe nuk kanë nevojë për një “version aziatik të NATO-s”.
“Azia është shtëpia e përbashkët e popujve aziatikë. Falë përpjekjeve të përbashkëta të vendeve aziatike, rajoni ka pasur rritje të shpejtë e është shndërruar në një motor të rëndësishëm të rritjes globale dhe në një oazë të paqes e qëndrueshmërisë,” tha Lin./cgtn