Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për shkarkimin nga detyra të kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, dy ditë pas propozimit të miratuar nga këshilli bashkiak i Tiranës.
Shkarkimi i Veliajt nga Këshilli i Ministrave, u bë me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, bazuar në nenin 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “c”, të nenit 62 të ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i cili parashikon shkarkimin e një kryebashkiaku nëse ai mungon në detyrë për më shumë se tre muaj pa ndërprerje.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Dy ditë më parë, me datë 23 shtator, këshilli bashkiak i Tiranës miratoi propozimin për shkarkimin nga detyra të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti.
Këshilli bashkiak votoi me 50 vota pro miratimit të propozimit për shkarkimin nga detyra të Veliajt.
Vendimi i sotëm për shkarkimin e Veliajt, i hap rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, gjë për të cilën kreu i qeverisë Edi Rama tha se tashmë ka nisur puna. Rama ka propozuar Ogerta Manastirliun si kandidate për kryetare të bashkisë Tiranë.
Veliaj ka 15 ditë kohë për ta ankimuar vendimin në Gjykatën Kushtetuese./ata