Nga Dr. Gurakuç Kuçi –
Hulumtues i Lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” dhe profesor në Kolegjin UNI
Skena politike e Serbisë po hyn në një fazë të re, të ngjashme me një rikthim të viteve ’90, kur trashëgimia e Millosheviqit dhe Sheshelit përfaqësonte modelin e pushtetit autoritar, të bazuar në kontroll absolut të shtetit dhe strukturave të sigurisë. Sot, dyshja Tomislav Nikoliq – Aleksandar Vuçiq po shfaqet sërish si një bosht i mundshëm politik, duke ringjallur jo vetëm fantazmat e së kaluarës, por edhe duke krijuar rreziqe konkrete për të ardhmen e demokracisë në Serbi dhe për stabilitetin rajonal.
Sipas mediave ruse, Vuçiq po shqyrton idenë që ta rikthejë Nikoliqin në skenë si president, ndërsa vetë të marrë rolin e kryeministrit. Ky konfigurim është një imitim i drejtpërdrejtë i modelit Putin–Medvedev në Rusi: një president formal që ruan fasadën institucionale, ndërsa fuqia reale qëndron te kryeministri i cili kontrollon qeverinë, sigurinë, policinë, financat, etj. Në këtë skenar, Vuçiq jo vetëm që forcon pushtetin e tij personal, por eliminon çdo balancë të brendshme, duke transformuar Serbinë në një sistem tërësisht personalist.
Rikthimi i Nikoliq nuk është i rastësishëm. Ai ka mbajtur për vite postin e kryetarit të Këshillit Kombëtar për Bashkëpunim me Rusinë dhe Kinën, duke shërbyer si nyje institucionale për orientimin lindor të Beogradit. Pjesëmarrja e tij së fundi në paradën ushtarake në Kinë, përkrah Vučićit, ishte një sinjal i qartë për pozicionimin strategjik: Serbia po rreshtohet gjithnjë e më hapur në boshtin Moskë–Pekin. Kjo do të thotë se çdo manovër e brendshme politike ka edhe dimension të jashtëm gjeopolitik.
Por shenja më e fortë e autoritarizimit nuk vjen nga manovrat politike, por nga kapja e strukturave të sigurisë. Shkarkimi i komandantit të Njësisë Speciale Antiterroriste, Spasoje Vuleviq, vetëm sepse nuk ishte nën “kontroll absolut” të Vuçiqit, është preludi i një procesi më të gjerë: lojalizimi total i shërbimeve të sigurisë. Ky është mekanizëm klasik i konsolidimit autoritar, eliminimi i çdo qendre alternative fuqie të armatosur, që mund të veprojë jashtë kontrollit të liderit. Me këtë hap, Vuçiq po përgatit terrenin për represion më të fortë kundër opozitës, mediave dhe shoqërisë civile.
Pasojat janë të qarta. Brenda Serbisë, demokracia reduktohet në një teatër elektoral pa konkurrencë reale, ku zgjedhjet shërbejnë vetëm për legjitimitet formal. Jashtë saj, fqinjët dhe partnerët ndërkombëtarë përballen me një Serbi më autoritare, më pak të parashikueshme dhe më të hapur për operacione hibride. Për Kosovën, kjo nënkupton intensifikim të ndërhyrjeve politike dhe të sigurisë; për Bosnjën dhe Malin e Zi, rritje të presionit të brendshëm për destabilizim; për BE-në dhe SHBA-të, një partner i pabesueshëm që mban kursin e integrimit vetëm në retorikë.
Në thelb, rikthimi i Nikoliq si president dhe kalimi i Vuçiqit si kryeministër është shumë më tepër sesa një manovër politike: është sinjali i shndërrimit të Serbisë në një regjim personalist të ngjashëm me Putinin, me pasoja të drejtpërdrejta për rajonin. Për ndërkombëtarët, ky është alarm i qartë, ose ndërhyjnë me kushte të forta dhe presion real mbi Beogradin, ose duhet të përgatiten për një dekadë të re autoritarizmi dhe destabilizimi në Ballkan, ku krahu në çdo lloj konflikti do rrezikohet krahu juglindor i NATO-së dhe gjithë Evropa
/Argumentum.al