Akademia Politike e Partisë Socialiste hapi dje dyert për 39 deputetët e rinj të PS-së në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD).
Ky edicion i posaçëm nuk është thjesht një trajnim, por një hapësirë reflektimi për të kuptuar më thellë rolin e të qenit përfaqësues në një demokraci funksionale.
Me një leksion hyrës, Kryeministri Edi Rama theksoi se “mandati nuk është një dekoratë, por një përgjegjësi e përditshme për të qenë të vlefshëm dhe të dobishëm për ata që na kanë dhënë besimin e tyre”.
“Tani duhet me të njëjtin seriozitet ta meritoni këtë gjë çdo ditë, sepse kjo nuk është diçka që meritohet njëherë. Nuk mjafton. Kjo është çdo ditë. Nuk është si ato dekoratat, që e merr një dekoratë dhe e ke përgjithmonë. Çdo ditë duhet të jesh i vlefshëm, çdo ditë duhet të jesh i nevojshëm dhe i dobishëm”, u shpreh Rama në fjalën e tij.
Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Partia Socialiste fitoi 83 mandate deputetësh, 54 (65.05%) prej të cilëve përfituan mandatin për herë të parë.
39 nga 54 deputetët që e fituan mandatin për herë të parë nuk kanë mbajtur më parë pozita drejtuese në nivel të lartë ekzekutiv si ministër, zv.ministër apo kryetar bashkie.
Nga 39 deputetë 23 (59%) janë burra dhe 16 (41%) janë gra.
Ndaj, Akademia Politike e Partisë Socialiste rikthehet me këtë format të veçantë, të ndërtuar posaçërisht për gjeneratën më të re të Kuvendit të Shqipërisë.