Sot paradite në orën 11.00 do të mblidhet Këshilli Politik për të nisur diskutimin e çështjeve të mbetura të reformës zgjedhore. OSBE bëri të ditur se ka rezervuar sallën në Pallatin e Kongreseve për t’u mundësuar përfaqësuesve të partive politike dhe ekspertëve të avancojnë me diskutimin e ligjit të ri zgjedhor.
Çështjet që kanë mbetur pezull janë ato të ndërtimit të komisioneve zgjedhore, të kompozimit të Kolegjit Zgjedhor të Apelit, të sistemi zgjedhor, roli i policisë në zgjedhje, hetimi i krimeve elektorale dhe financimi i partive dhe fushatave elektorale. Mbledhja e Këshillit Politik vjen pas një presioni të madh që SHBA iu bënë partive politike.
Ambasadorja amerikane, Juri Kim bëri të ditur tri ditë më parë në mënyrë ultimative se, reforma zgjedhore duhet të përfundojë sa më shpejt sepse është një çështje që lidhet me aspiratat e shqiptarëve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Në një intervistë për Euronews Albania një ditë më parë, përfaqësuesi i Partisë Demokratikë në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi u shpreh besimplotë se reforma e nisur do të përmbyllet brenda afatit të caktuar, por për këtë sipas tij duhet impenjim i plotë në nivelin politik dhe teknik.