Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, do të udhëtojë për në Greqi për të marrë pjesë në Samitin e krerëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).
Sipas njoftimit, Presidentja Osmani në këtë Samit do t’i bashkohet krerëve të 13 shteteve për të biseduar rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë për të garantuar paqe, siguri, stabilitet, zhvillim ekonomik, politik e shoqëror në rajon.
Gjithashtu, Samiti i SEECP-së do të përqendrohet edhe në zhvillimeve e fundit në Evropë, përfshirë luftën në Ukrainë, si dhe ndikimin e tyre në vendet e rajonit.
“Gjatë Samitit të SEECP-së, Presidentja Osmani do të ketë takim bilateral me nikoqirin e Samitit, kryeministrin e Greqisë Kyriakos Mitsotakis, si dhe me pjesëmarrës tjerë. Presidentja Osmani do të marrë pjesë në darkën zyrtare të Samitit me Kancelarin e Gjermanisë Olaf Scholz dhe me Presidentin e Këshillit të BE-së Charles Michel”, thuhet tutje në njoftim.
Në këtë Samit të SEECP-së, Presidentja Osmani do të flasë edhe për rolin që Republika e Kosovës po luan në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon; rëndësinë e bashkëpunimit rajonal duke u bazuar në parimet e barabarësisë dhe gjithëpërfshirjes, si dhe për nevojën për ta përshpejtuar perspektivën euro-atlantike për Kosovën dhe vendet e tjera demokratike në rajon.