Pala kineze kundërshton fuqimisht përdorimin e çështjes së Detit të Kinës Jugore si pretekst për të forcuar aleancat ushtarake ose për të kryer dislokime e veprime ushtarake të shënjeshtruara, tha të martën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, në një konferencë shtypi.
Guo i bëri këto komente në përgjigje të zhvillimeve të fundit pas vizitës së presidentit filipinas, Ferdinand Marcos Jr., në Shtetet e Bashkuara, gjatë së cilës të dyja palët rikonfirmuan se i ashtuquajturi Traktat i Mbrojtjes së Ndërsjellë ShBA-Filipine është i zbatueshëm për Detin e Kinës Jugore dhe njoftuan plane për të thelluar bashkëpunimin ushtarak, duke përfshirë vendosjen e raketave amerikane me rreze të mesme dhe ndërtimin e përbashkët të depove të municionit. Raportet njoftojnë gjithashtu që Japonia planifikon t’u shesë Filipineve gjashtë anije destrojer shoqëruese të tipit “Abukuma”.
Foto nga VCG
“Lëvizje të tilla nuk do të zgjidhin asnjë problem dhe as nuk do ta trembin Kinën. Ato gjithashtu bien ndesh me aspiratën e përbashkët të vendeve të Azi-Paqësorit për paqe, zhvillim dhe qëndrueshmëri”, theksoi Guo.
Ai vuri në dujke se, megjithëse vendet janë të lira të ndjekin bashkëpunimin në mbrojtje, marrëveshje të tilla nuk duhet të synojnë palë të treta, të ndërhyjnë në mosmarrëveshjet detare ose të provokojnë konfrontim.
“Ne i bëjmë thirrje palës filipinase të ndalojë rritjen e tensioneve, hedhjen e fajit të tjerëve dhe tërheqjen e forcave të jashtme për të mbështetur qëndrimin e saj”, tha ai.
Foto nga VCG
Guo gjithashtu u bëri thirrje Filipineve të zbatojnë një politikë të jashtme vërtet të pavarur e të ndërmarrin veprime konkrete për të ruajtur paqen dhe qëndrueshmërinë rajonale./cgtn