Të hënën sipas orës lokale, delegacioni kinez dhe ai amerikan zhvilluan në Londër takimin e parë të mekanizmit të konsultimeve ekonomike dhe tregtare Kinë-SHBA. Bisedimet vazhduan edhe të martën. Sipas fotove të publikuara, të dërguarit kryesorë të delegacionit amerikan përfshinin Sekretarin e Thesarit Scott Bessent, Përfaqësuesin e Tregtisë Jamieson Greer dhe Sekretarin e Tregtisë Howard Lutnick.
Përgjegjësitë e të dërguarve amerikanë më konkretisht janë:
Scott Bessent, Sekretari i Thesarit, është përgjegjës për çështjet makroekonomike dhe financiare. Ai është një figurë kyçe në zbatimin e strategjive tarifore të administratës Trump. Ka një rol koordinues dhe është përgjegjës për udhëheqjen e negociatave me vende të shumta.
Përgjegjësia kryesore e Jamieson Greer, Përfaqësuesit të Tregtisë, janë tarifat. Ai është më shumë një “negociator profesional” i Shteteve të Bashkuara për të trajtuar negociatat e ndryshme tregtare.
Howard Lutnick, i sapo bashkuar, vjen nga Departamenti i Tregtisë i SHBA-së dhe është relativisht më i fokusuar në nivelin industrial, siç janë eksportet, importet, qasja ndaj tregut dhe çështje të tjera industriale. Përsa i përket kontrollit të eksporteve, vetë Departamenti i Tregtisë i SHBA-së është përgjegjës për industrinë dhe kontrollin e eksporteve. Sipas Bloomberg, përfshirja e Lutnickut në raundin e ri të bisedimeve, mund të tregojë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të rishqyrtojnë disa kufizime teknologjike, të cilat mund të pengojnë qëllimet afatgjata të zhvillimit të Kinës.
Qëndrimi i Kinës është gjithashtu i qartë. Vendi kundërshton fuqimisht çdo palë, e cila arrin një marrëveshje në kurriz të interesave të Kinës. Të sakrifikosh interesat e të tjerëve për hir të egoizmit të përkohshëm, në këmbim të të ashtuquajturave përjashtime, në fund të fundit do të jetë një dështim për të dyja palët, duke dëmtuar të tjerët dhe duke mos sjellë dobi për veten.
Në përgjithësi, në ndarjen aktuale të detyrave të administratës amerikane, Departamenti i Thesarit merret me koordinimin e përgjithshëm, Departamenti i Tregtisë përqendrohet tek industria dhe Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë (USTR) përqendrohet në negocimin e kushteve teknike.
CNN tha se askush nuk dëshiron që bisedimet të bllokohen. Para kësaj, Kina e kishte bërë të qartë që Shtetet e Bashkuara duhet ta shohin progresin e bërë në mënyrë realiste, si edhe të tërhiqen nga masat negative të ndërmarra ndaj Kinës.
Pavarësisht se kë dërgon pala amerikane, ata duhet ta kenë të qartë që Kina është e sinqertë dhe parimore./cgtn