Pesë gazetarë të “Al Jazeera”-s janë vrarë në një sulm izraelit pranë spitalit “Al-Shifa” të qytetit të Gazës, sipas BBC-së.
Korrespondentët Anas al-Sharif dhe Mohammed Qreiqeh, së bashku me kameramanët Ibrahim Zaher, Mohammed Noufal dhe Moamen Aliwa, ishin në një tendë për gazetarët në portën kryesore të spitalit kur u goditën për vdekje, raportoi “Al Jazeera”.
“Vrasja ishte në tjetër sulm i hapur dhe i paramenduar ndaj lirisë së shtypit”, tha Al Jazeera” në një deklaratë.
Menjëherë pas sulmit, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) konfirmuan se kishin goditur Anas al-Sharif, duke shkruar në një postim në Telegram se ai kishte “shërbyer si kreu i një qelize terroriste në Hamas”.
IDF nuk përmendi asnjë nga gazetarët e tjerë që u vranë.
Në total, shtatë persona vdiqën në sulm, raporton “Al Jazeera”. Transmetuesi fillimisht tha se katër nga stafi i tij ishin vrarë, por e ndryshoi atë në pesë disa orë më vonë.
Redaktori i saj menaxhues, Mohamed Moawad, i tha BBC-së se al-Sharif ishte një gazetar i akredituar i cili ishte “zëri i vetëm” që bota të dinte se çfarë po ndodhte në Rripin e Gazës.
Gjatë gjithë luftës, Izraeli nuk i ka lejuar gazetarët ndërkombëtarë të hyjnë në Gaza të raportojnë lirisht. Prandaj, shumë media mbështeten te gazetarët vendas brenda territorit për mbulim.
“Ata u goditën në tendën e tyre, nuk po mbulonin nga vija e frontit,” tha Moawad për sulmin izraelit.
“Fakti është se qeveria izraelite po dëshiron të heshtë mbulimin e çdo kanali raportimi nga brenda Gazës,” tha ai për programin “The Newsroom”