Policia serbe të premten përdori gaz lotsjellës dhe granata shokuese për të shpërndarë protestuesit në Universitetin e Novi Sadit, të cilët kërkonin zgjedhje të parakohshme për të larguar presidentin Aleksandar Vuçiq dhe partinë në pushtet, SNS.
Në një fjalim të mbajtur vonë në mbrëmje, Vuçiq deklaroi se 11 policë ishin plagosur. Nuk kishte të dhëna për numrin e protestuesve të lënduar.
“Vuçiq, largohu!”
Të premten në mbrëmje, mijëra njerëz u mblodhën në kampusin e universitetit shtetëror. Protestuesit mbanin pankarta ku shkruhej: “Nuk duam bllokada, duam zgjedhje” dhe “Studentët kanë një kërkesë urgjente: Të shpallen zgjedhje”.
Turma brohoriste: “Vuçiq, largohu!”
Protestuesit u përplasën me policinë përpara fakultetit të filozofisë dhe hodhën flakadanë, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe granata shokuese për t’i shpërndarë.
“Nuk do të lejojmë shkatërrimin e institucioneve shtetërore,” u tha Vuçiq gazetarëve. “Serbia është një shtet i fortë dhe përgjegjës.”
Ai akuzoi shërbimet e huaja të sigurisë se qëndrojnë pas protestave antiqeveritare në Serbi dhe njoftoi se përkrahësit e tij do të organizojnë tubime në qytete të ndryshme të Serbisë të dielën.
Shkaku i protestave
Vuçiq dhe partia e tij SNS janë tronditur nga muaj protestash në të gjithë Serbinë, përfshirë bllokadat në universitetet shtetërore, të cilat nisën pas vdekjes së 16 personave në nëntor, kur u shemb çatia e një stacioni hekurudhor të rinovuar në Novi Sad.
Protestat ishin kryesisht paqësore deri më 13 gusht, kur dhjetëra policë dhe civilë u plagosën në përleshje.
Protestuesit fajësojnë korrupsionin për tragjedinë në stacionin hekurudhor dhe kërkojnë zgjedhje të parakohshme me shpresën për të rrëzuar Vuçiqin dhe partinë e tij nga pushteti.
“Zgjidhja janë zgjedhjet”
Studentët, grupet opozitare dhe organizatat kundër korrupsionit e kanë akuzuar Vuçiqin dhe aleatët e tij për lidhje me krimin e organizuar, përdorim të dhunës kundër rivalëve politikë dhe shtypje të mediave – akuza që ata i mohojnë.
“Zgjidhja është të shpallen zgjedhje,” tha Nebojsha Korac, një nga protestuesit.
“Ne duam që të mbizotërojë paqja dhe demokracia, dhe që institucionet politike të bëjnë punën e tyre. Kjo do të thotë të shpallen zgjedhje, dhe kjo do të jetë zgjidhja, sepse qeveria do të ndryshojë.”
/Argumentum.al