Filip Shvarm-Vreme[i]
Aleksandër Vuçiçi, me 15 gusht 2025 mbajti një prej konferencave më të çuditshme për mediat në historinë moderne. Duke qëndruar pranë Ministrit të punëve të brendshme Ivica Daçiç dhe drejtuesve më të lartë të policisë, deklaroi se është punë ditësh kur dikush do të vritet dhe bëri, në shumë mënyra, variacione lidhur me këtë temë. Thelbi është se përgjegjësit për këtë do të jetë studentët dhe qytetarët e revoltuar.
Vuçiçi nuk e la me kaq. Deklaroi se “shteti” pas pesë a gjashtë ditësh do të tërhiqet nga rruga dhe pastaj do të kthehet atje me tërë forcën e tij. Çfarë synon presidenti i Serbisë? A mos po – mos e dhëntë zoti – po hap ndonjë hapësirë për vrasje politike? Dhe kush do t’a kryejë? Teoritë e komploteve lulëzojnë. Dëgjohen mendime se bëhet fjalë për përgatitje për operacion nën flamurin e gënjeshtërt – struktura të nëndheshme të afërta me rregjimin po bëjnë diçka, qeveria u’a mvesh krimin demonstruesve dhe fillon një luftë të ndyrë kundër shoqërisë së revoltuar nën firmën e luftës kundër terrorizmit. Shqetësimin edhe kështu të madh e rritin akoma më shumë policët e veshur civilë me pistoleta nëpër protesta.
Me rastin e paralajmërimit të vrasjes së ardhshme Vuçiçi i’u referua fatit të ish kryeministrit italian Aldo Moro, të cilin me 9 maj 1978 e vranë pjestarët e grupit terrorist ultramajtist “Brigadat e Kuqe”. Me këtë presidenti insinuon se sëpaku një pjesë e shoqërisë së revoltuar është e frymëzuar nga ideologjia ekstreme dhe e dhunshme anarkike. Natyrisht kjo është shumë larg së vërtetës. Studentët dhe qytetarët nuk demonstrojnë që të heqin policinë dhe shtetin, por kërkojnë që ata të bëjnë punën e tyre. Përveç kësaj, rrëmbimi dhe likudimi i Aldo Moros për shumë qytetarë të Serbisë nuk është se do të thotë shumë, sidomos rinisë. Përveç asaj se konteksti ideologjik dhe politik i ditëve të sotme është diametralisht i kundërt me të.
Nëse bash i ka rënë në kohë që të hapë kronikën e vdekjes së paralajmëruar, shefi i këtushëm i shtetit kishte një shembull nga i cili Serbia ende nuk e ka marrë veten plotësisht edhe pas njëzet e dy vitesh. Është fjala për atentatin kundër kryeministrit Zoran Xhinxhiç. Vrasja e tij atëbotë për muaj të tërë më parë ka qënë paralajmëruar nga dy mentorët e Vuçiçit, Vojisllav Shesheli dhe Tomisllav Nikoliçi. I pari e ka pranuar se para atentatit është takuar me Legijan, Dushan Spasojeviçin dhe organizatorët dhe ekzekutorët e tjerë të atentatit. Ndërsa Vuçiçi derdhte lot të hidhur në momnetin e përcjelljes së Sheshelit në Hagë, Toma Nikoliçi nga foltorja i dërgoi mesazh Xhinxhiçit se edhe “Tito para vdekjes ka patur probleme me këmbën” (Xhinxhiçit, dy javë para se t’a vrisnin i kanë bërë një atentat nga i cili ka pas dëmtuar këmbën, të cilën në momntin e vrasjes e kishte të fashuar në allçi, ndërsa Titos disa muaj para vdekjes i patën amputuar këmbën si pasojë e diabetit. Shën. i përkth.)
Është e kuptueshme përse presidenti nuk flet për këto paralajmërime të cilët janë praktikisht ftesa për atentat. Si mund t’a bëjë një gjë të tillë? Është ende shumë i afërt me Sheshelin dhe Nikoliçin që të ketë ndryshime në qëndrime, përfshirë edhe ato mbi Xhinxhiçin.
Pjekuria politike e Vuçiçit ndjehet që tani. Mes çadrave të Çaçliendit bëjnë paradë bash Beretat e Kuqe, kreu të të cilëve qëndron pas atentatit të Xhinxhiçit dhe likujdimeve të tjera politike. Nëse ky ekip kishte dikur njëfarë ideologjie ajo mund të përshkruhej si mafiozo-ultradjathtiste. Por, Vuçiçi nuk e ka problem këtë, ka problem me luftëtarët për demokraci dhe drejtësi të cilët i dehumanizon sistematikisht. Tani e ka me merak t’i akuzojë edhe për terrorizëm.
Në ndryshim nga vdekja e Xhinxhiçit, presidenti i Serbisë shpesh përmend edhe vdekjen e Ranko Paniçit. Ai ishte pjesëmarrës i demontratave të dhunshme në fundin e qershorit të vitit 2006, të cilat Vuçiçi dhe Nikoliçi – akoma atëbotë radikalë – organizuan në mbështetje të Radovan Karaxhiçit para se ai të dorëzohej në Hagë. Paniçi vdiq shpejt mbasi policia i shkaktoi plagë të rënda gjatë trazirave. Kur dhe si ndodhi kjo? Presidenti i Serbisë ka kohë që nuk e thotë këtë. Me qëllim. Sepse një njeriu relativisht i painformuar – përshembull një pjesë e mirë e trupit votues të përparimtarëve – mund të konkludojë shumë lehtë se Ranko Paniçin e kanë vrarë ata që sot kanë dalë në revoltë në rrugë. Megjithëse Vuçiçi nuk aludoi për policinë, atë e kuptoi në mënyrë të përkryer Ivica Daçiçi. Sepse, kur Paniçi vdiq, Daçiçi ishte ministër i punëve të brendshme në kabinetin e Mirko Cvetkoviçit, ndërsa sot është në po atë funskion për në kabinetin e Gjuro Macutit. Pra mesazhi konkret është: Daçiç, kur atëbotë mundje të rrihje me shkop me të gjitha fuqitë, bëje këtë edhe sot; do të jesh fajtor për gjithçka sepse Vuçiçi është përherë viktimë – si në vitin 2006, ashtu edhe në vitin 2025.
Duhet të jemi të ndershëm deri në fund. Vuçiçi nuk e eviton as temën e vdekjes së tij. Në vitet e para të pushtetit pohonte se nuk do t’a mbyllte jetën me vdekje natyrale sepse e njeh mirë popullin e tij. “Nëse më vrasin, do të mbetet gjallë im vëlla Andrej. Nëse më vrasin vëllain, do të mbetet im bir Danillo. Nëse më vrasin djalin, do të mbetet ime bijë Milica. Nëse e vrasin edhe atë, mbetet im bir Vukani…”
Që shefi i shtetit është i fiksuar me vdekjen e tij, këtë e dëshmojnë edhe spin doktorët e rregjimit të tij – ndoshta edhe ata vetë nuk e dinë se sa herë kanë pohuar se kundër presidentit është planifikuar ose është synuar të bëhet atentat. Nisur nga ajo se Vuçiçi paraqitet vazhdimisht i ngrysur dhe i nervozuar, madje nuk është në gjendje madje as të simulojë të gëzuarin, del se atë e mundojnë vëzhdimisht mendimet tanatologjike.
Në fund po i rikthehemi fillimit dhe deklaratës së është punë ditësh kur dikush do të vritet. Në vend të fjalimeve racionale dhe të matura drejtuar qytetarëve, presidenti Vuçiç shpërndan frikë dhe panik. Për popullin, shtetin dhe për vetë Vuçiçin do të ishte më mirë sikur të bëhej fjalë për reagim të një politikani të nervozuar, të frustruar dhe të panikosur, që përballet me krizën më të madhe në karrrierën e tij në të cilën bash asgjë nuk po i shkon mbarë. Por, nëse bëhet fjalë për profeci të vetëpërmbushur, mund të themi se është shpuar edhe fundi i hendekut tejet të thellë të pandershmërisë dhe korrupsionit. Kronika e vdekjes së paralajmëruar të Zoran Xhinxhiçit e parathotë një gjë të tillë, e populli e si kaherë se me cilin ka të bëjë.
[i] https://vreme.com/vreme/predsednik-i-smrt/
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA