Presidentja e Parlamentit Evropian (PE), Roberta Metsola, bëri thirrje për akses urgjent humanitar në Gaza, duke theksuar kushtet e tmerrshme në terren dhe duke përsëritur nevojën për një armëpushim të përhershëm.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministren daneze, Mette Frederiksen, pas takimit, Metsola e përshkroi situatën humanitare në Gaza si “katastrofike”.
“Situata në Gaza është katastrofike. Kemi fëmijë, gra dhe burra që vdesin çdo ditë. Dhe ne, si kontribuuesi numër një i ndihmës humanitare, duhet të pyesim se ku po shkon kjo ndihmë dhe si do të shkojë tek njerëzit që kanë më shumë nevojë për të”, tha ajo.
Metsola nënvizoi qëndrimin e hershëm të PE-së që bën thirrje për një armëpushim të përhershëm, lirimin e pengjeve dhe rëndësinë e përparimit drejt një zgjidhjeje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.
Ajo riafirmoi se BE-ja “nuk do të hezitojë” të adresojë bombardimet pa dallim të civilëve, duke shtuar se Marrëveshja e Asociimit BE-Izrael që po shqyrtohet do të pasqyrojë këto shqetësime.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për një armëpushim, Izraeli ka ndërmarrë një ofensivë shkatërruese në Gaza që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë gati 54.500 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Agjencitë e ndihmës kanë paralajmëruar për rrezikun e urisë midis më shumë se 2 milionë banorëve të enklavës.