Partia Socialiste zhvilloi sot në mbrëmje takimin përmbyllës elektoral të fushatës për zgjedhjet e 11 majit në Parkun Olimpik në Tiranë.
Me sloganin ‘Shqipëria 2030 në BE”, Partia Socialiste synon mandatin e katërt qeverisë me synimin kryesor për rrugëtimin evropian të Shqipërisë.
Kryetarja e Kuvendit, njëherësh drejtuese politike e qarkut Tiranë, Elisa Spiropali tha se “sot është dita e Europës, sot 9 maji është dita ku ëndrra më e bukur politike që edhe sot i thërret popujt, i thërret njerëzit drejt paqes, drejt paqes, drejt demokracisë dhe drejt zhvillimit është ogur i mirë për ne dhe për fitoren tonë të 11 majit”.
Ajo theksoi se “Europa ishte ëndrra e atit tonë themeluese dhe etërve të tjerë shqiptarë, kur e shpallën pavarësinë dhe e shpallën Shqipërinë Republikë. Ishte ëndrra e atyre që luftuan për një vend të zhvilluar, për një demokraci. Ishte ëndrra e atyre që luftuan në Luftën e Dytë Botërore kundër fashizmit që tentoi të rrafshonte vlerat europiane”.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama ftoi shqiptarët që të votojnë për Shqipërinë në Bashkimin Europian.
Rama tha se Partia Socialiste do të marrë më shumë se 78 mandate në zgjedhjet e 11 majit.
“Ne edhe aritmetikisht do të ngjitemi më lart, me e pakta 78 mandate”, tha Rama.
Ai tha se PS e nxori Tiranën nga gërmadhat dhe e rilindi atë ndërsa tha se në kryeqytet PS do të marrë deri në 20 mandate.
“Tiranë e dashur, Shqipëri e shtrenjtë, shqiptarë dhe shqiptare pa krahinë, fe e ide, kudo që jeni, vëllezër e motra socialistë të progresit, ju këtu, shokë e shoqe të armëve nga Tirana. Partia Socialiste e Shqipërisë e nxori Tiranën nga gërmadhat dhe më pas e rilindi. Jemi në kulmin e një tjetër rrugëtimi katërvjeçar, në ngjitje, lart, drejt majës ku ndodhet Shqipëria e Europës së Bashkuar. Nuk besoj te rastësitë dhe nuk është rastësi që sot jemi këtu, më 9 maj, në Ditën e Europës, për të thënë fjalën e fundit të këtij rrugëtimi. E më pas, për të shkruar së bashku me shumicën dërrmuese të shqiptarëve në kutitë e votimit, dhe për të firmosur aty marrëveshjen tonë të madhe për Shqipërinë tonë europiane, për Shqipërinë në Bashkimin Europian”, tha Rama.