Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot në Asamblenë Kombëtare të PS, se në Kuvend do të krijohen 11 komisione të përhershme të reja parlamentare, të cilat do të kenë lidhje organike sipas grup-kapitujve të procesit të negociatave të Shqipërisë në BE, ku 7 komisione do të drejtohen nga shumica parlamentare dhe 4 prej tyre nga opozita.
“Një tjetër nevojë thelbësore që duhet adresuar pa humbur kohë është harmonizimi i ligjit për komisionet hetimore me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, për të reflektuar qartësisht në atë ligj standardet e vendosura nga vendimet e Kushtetueses, të cilat kanë mirëpërcaktuar kufijtë e kompetencave, rolet e pakicës dhe shumicës parlamentare si edhe balancën e domosdoshme dhe gjithmonë inekzistente në eksperiencën e komisioneve parlamentare mes të drejtës së shumicës për të qeverisur dhe të drejtës së pakicës për të kontrolluar qeverinë.”
Kështu, theksoi Rama, “do t’i sigurohej Kuvendit, por edhe publikut, një kornizë e qartë veprimtarie, por edhe pritshmërie nga komisionet hetimore dhe me gjasë do të rritej sadopak cilësia dhe përgjegjshmëria institucionale në hetimet parlamentare. Do të shmangeshin të paktën në frymën dhe në germën e ligjit të gjitha sebepet për konfliktet e neveritshme politike, për natyrën e hetimit parlamentar dhe për instrumentalizimin demagogjik të komisioneve hetimore, të cilat e kanë deformuar rregullisht misionin, funksionin dhe qëllimin që Kushtetuta ka përcaktuar për to”.
“Sot e gjithë ditën gjejmë ende emërtime antike të Kuvendit Popullor të Republikës së vjetër Socialiste për komisionet e përhershme parlamentare, po meazallah se gjendet ndonjë lidhje organike mes Kuvendit të një Shqipërie të re që synon hyrjen në BE brenda kësaj dekade dhe sfidave politike dhe legjislative të anëtarësimit, sipas grup-kapitujve të procesit të negociatave të Shqipërisë në BE që nuk mund të jenë lënda e vetëm negociatorëve dhe nuk mund të kenë adresim të suksesshëm nëse nuk bëhen dhe lënda e parlamentarëve”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se grupi i punës ka bërë në radhë të parë pikërisht këtë, kur ka bërë rindarjen e komisioneve të përhershme, duke vendosur të gjithë motorët e makinës legjislative në funksion të suksesit të anëtarësimit.
Por, shtoi Rama, nuk është vetëm kjo arsyeja e organizimit të ri.
Sipas grupit të punës, tha Rama, të gjitha raportet e bëra në vite mbi aktivitetin parlamentar dhe komisioneve parlamentare, por edhe përvoja e krijuar nga vetë deputetët, sidomos në dy legjislaturat e fundit, nxjerr qartësisht në pah se numri i lartë i anëtarëve për komision dhe lëvizja e deputetëve nga një komision në tjetrin përbëjnë një problem strukturor që e ka penguar Kuvendin të ketë fokus, të ketë eficiencë të mjaftueshme, dhe mbi të gjitha, të ketë sipas grupeve që merren me lëndë të caktuara edhe njëfarë specializimi.
“Ndaj sugjerohet që për të nxitur më shumë përgjegjshmëri, garantuar më shumë njohje të lëndës në secilën nga fushat prioritare për negociatat dhe sigurisht më shumë fokus dhe cilësi në ligjbërje dhe në mbikëqyrjen legjislative, Kuvendit të ri i duhen më shumë komisione të përhershme dhe më pak anëtarë në përbërjen e tyre, duke ulur në minimum numrin e deputetëve që lëvizin si ambulantë nga një komision te tjetri”, theksoi Rama.
Rama u shpreh se grupi i punës sugjeron që të ketë riorganizim të Komisioneve të përhershme parlamentare.
Kështu, krijohen 11 komisione të përhershme parlamentare:
Komisioni për Ekonominë Punësimin dhe Financat
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike
Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen
Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet
Komisioni për Shëndetësinë dhe Çështjet Sociale
Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm
Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik
Komisioni për Bujqësinë Ushqimin dhe Zhvillimin Rural
Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën
Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme
Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.