Në pak minuta, Kryeministri Edi Rama përcolli një video-mesazh për qytetarët në kuadër të masave të reja që qeveria do të aplikojë nga dita e hënë.
“Po mendojmë të hapim pikatoren e lehtësimeve për masën e madhe të njerëzve që po tregojnë mirëkuptimin e duhur…
Duam të lehtësojmë pak lëvizjen…pak më shumë shërbimet bankare tanimë që edhe si rrjedhojë e paketës mbështetëse bankat do të duhet të përballojnë një volum më të madh shërbimi, duam të lehtësojmë pak më shumë lëvizjen e automjeteve private, duke u dhënë mundësi të gjithë atyre që vijnë apo shkojnë në një punë të autorizuar që të kenë një fashë orari më të zgjatur dhe të mund të përdorin automjetin e tyre, duam të lehtësojmë ata që i kanë mbyllur njësitë tregtare individuale jashtë qendrave tregtare, natyrisht përveç bareve, klubeve, palestrave, dhe njësive ku mblidhen shumë njerëz…”
Duke iu referuar fenomenit të sotëm në tregun e Kombinatit, Rama foli për përshkallëzim masash deri edhe në heqje lirie sepse siç u shpreh ai; “nuk mund të humbim luftën për ata që nuk po duan të marrin vesh”.
Rama lajmëroi se mund të zgjatet pak fasha e orarit për pazare.
Gjithnjë sipas dinamikës, ai shtoi se do të merren edhe masa të tjera: “Do të përpiqemi gjithashtu që të lejojmë automjetet private me fashë orari të zgjatur për të gjithë punonjësit në kompani apo sipërmarrjet që kanë aktivitet ligjërisht të lejueshëm, por kjo do të kombinohet edhe me rritje masash deri në heqje lirie (nëse shkelen rregullat) më pas do të autorizojmë edhe hapjen e dyqaneve (atyre jashtë qendrave tregtare) me detyrimin që të jenë të pajisur me maska dhe doreza të personave që shërbejnë…”
Rama paralajmëroi se masat do të vijojnë deri sa të bjerë edhe bilbili i fundit./h.e