Profesor Enver Bytyçi ka reaguar ashpër pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në emisionin “Opinion”, ku ky i fundit mohoi zërat për shitjen e Sazanit dhe e krahasoi këtë me “thashethemet për ndarjen e Kosovës”.
Në një shkrim dërguar “Bota sot”, Bytyçi hedh poshtë këtë krahasim dhe sjell një sërë faktesh e dëshmish ndërkombëtare, që sipas tij provojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Ramës në përpjekjet për ndarjen e Kosovës, në bashkëpunim me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
“Kur Blendi Fevziu e pyeti kryeministrin shqiptar, të enjten në mbrëmje, nëse e kishte shitur Sazanin apo jo, Edi Rama u përgjigj: “Janë thash e theme si ato që u bënë për ndarjen e Kosovës”! Po a ishin thashetheme akuzat ndaj Edi Ramës dhe Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës? Sigurisht se jo. Pse?”
Profesor Enver Bytyçi
Krahas kësaj, profesori radhiti 8 arsye për këtë, mes tyre përmendi deklaratat e Carl Bildt dhe Tony Blair, si dhe rolin e këshilltarit Baton Haxhiu, për të dëshmuar atë që e quan “projekti i fshehtë për ndarjen e Kosovës, me iniciativë të Ramës”.
Sipas Bytyçit, Rama nuk ka kundërshtuar kurrë publikisht idenë e ndarjes apo të shkëmbimit të territoreve, dhe në raste të ndryshme ka qenë promotor prapa kuintave i këtij procesi, duke lobuar edhe tek liderët ndërkombëtarë si Emmanuel Macron dhe Angela Merkel.
“1. Ish ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bild, deklaroi në Financial Times të Britanisë së Madhe se kryeministri Rama i kishte propozuar atij si zgjidhje të konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë, pikërisht ndarjen e Kosovës të maskuar si shkëmbim territoresh. Edi Rama nuk e përgenjështroi këtë deklaratë të Carl Bild.
2. Ish kryeministri britanik, këshilltar i Ramës, i mirënjohuri Tony Blair, ka deklaruar se me porosi të Ramës dhe Vuçiq ai ishte investuar për lobim për ndarjen e Kosovës. Por këta nuk e përgenjështruan as këtë akuzë, se e tillë quhet sipas deklarimit të Edi Ramës.
3. Akuza të drejtpërdrejta për investimin e Ramës për ndarjen e Kosovës kanë bërë në mënyrë të përsëritur Sonja Biserko, Natasha Kondiç dhe shumë eksponentë të tjerë. As këta nuk janë kontestuar nga kryeministri i Shqipërisë.
4. Edi Rama dhe Hashim Thaçi iu lutën fillimisht presidentit të Francës, Emmanuel Macron, gjatë një kongresi të Frankofonisë në vitin 2018 në Ereven të Armenisë, që ky i fundit të ndihëmojë për realizimin e projektit të ndarjes së Kosovës. Dhe për këtë këta të dy janë përmendur vazhdimisht, por asnjëherë nuk e përgenjështruan këtë fakt.
5. Kur Hashim Thaçi deklaroi në gusht të vitit 2018 në një samit në Austri se bashkë me Vuçiq po punojnë për “korrigjimin e kufijve”, Edi Rama nuk reagoi, heshti dhe heshtja ishte miratim i plotë.
6. Në maj 2020 u bë samiti i Procesit të Berlinit në Berlin. Edi Rama, Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi ia hapën hartën e Ballkanit kancelares Merkel për t’i shpjeguar se cilla do të ishte marrëveshja për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, pra si do ndahej Kosova. Por Merkel refuzoi kategorisht, ndërkohë që Macron heshti për shkak se e dinte që Merkel është kategorikisht kundër kësaj ideje. Rama ishte në anën e Vuçiq dhe Thaçit, ndërkohë që kryeministri Haradinaj qëndronte larg në shenjë refuzimi. Madje ai i shau meritueshëm!
7. Kurrë Rama nuk është shprehur kundër korrigjimit të kufijve ose shkëmbimit të territoreve publikisht. Pra kurrë nuk e ka denoncuar përpjekjen për ndarjen e Kosovës, sepse ishte vetë skenaristi i përpjekjeve të tilla për ndarje. Edhe të ejnjten në mbrëmje ai u mbrojt skiç, duke i konsideruar akuzat të papaza. Por kurrë nuk tha se “Jam kundër ndarjes së Kosovës”, edhe atëherë kur debati mori zjarr.
8. Edi Rama vuri Baton Haxhiun të testojë lojën me ndarjen e Kosovës, kur ky (Batoni) si këshilltar i Ramës dhe përçues i ideve të kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Serbisë deklaroi publikisht se 1) Kosova duhet ndarë, 2) Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë duhet mbyllë, 3) Krimet dhe genocidi serb në Kosovë duhen harruar!”
Bytyçi e përmbylli me një paralajmërim të ashpër: “T’i besosh Edi Ramës është njësoj si t’i besosh djallit që hiqet si engjëll”, duke e cilësuar kryeministrin shqiptar si një nga “inspiruesit dhe drejtuesit e fushatës për ndarjen e Kosovës”.
“Ka njëmijë fakte, me të cilat Edi Rama provohet si intriganti dhe udhëheqësi, sidomos në prapaskenë i ndarjes së Kosovës. Ndërsa Hashimi dhe Vuçiq ishin të hapur në publik, ky, Edi Rama inspiroi dhe drejtoi të gjithë fushatën mediatike të komunikimit publik në favor të ndarjes së Kosovës.
T’i besosh Edi Ramës në termat që sot ai përdor, është njësoj so t’i besosh djallit që hiqet si engjëll!”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.
/Argumentum.al