Kryeministri Edi Rama u ndal sot tek aksioni i prishjes së ndërtimeve pa leje dhe lirimit të hapësirës publike, ndërsa siguroi se “kur ka fakte dhe prova, gjithsekush do të ballafaqohet me ligjin dhe me drejtësinë”.
Në një komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët në rrjetet sociale, Rama tha se ndërtesat me leje nuk mund të cenohen.
“Kjo puna e burgut, duhet të jemi shumë të qartë, që unë jam kryeministri i Shqipërisë, e kam shpjeguar këtë shumë herë. Nder i madh, privilegj i madh dhe natyrisht përgjegjësi shumë e madhe, por ndër të gjitha pjesët e shumta të kësaj përgjegjësie nuk hyn përgjegjësia për të futur në burg njerëz. Këtë e bën drejtësia, dhe drejtësia funksionon me fakte dhe me prova. Lavdi Zotit, nuk kemi më drejtësinë që e bënte partia, qeveria dhe i pari i shtetit”, shtoi ai.
Kryeministri solli në vëmendje edhe platformën ”Hapësira ime publike” në e-Albania, ku ftoi qytetarët të denoncojnë rastet e shkeljeve.
“E keni në çdo telefon apo kompjuter, ku do doni ta vendosni apo ta kërkoni dhe aty mund të na ndihmoni, mund të bashkëpunojmë, që thoni: shiko, keni harruar edhe këtë, shiko, keni harruar edhe këtë, dhe pastaj, në rast se brenda 24 orësh nuk ka reagim, keni mundësi të denonconi dhe mungesën e reagimit për institucionet përkatëse, gjë që do të vendosë përpara përgjegjësisë ata njerëz prej të cilëve me të drejtë kërkojmë përgjegjësi që të gjithë”, siguroi ai.