Shqipëria është vlerësuar si një nga vendet që ka përmbushur kërkesat minimale të transparencës fiskale për vitin 2025, sipas Raportit të Transparencës Fiskale të publikuar nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së.
Raporti, i mandatuar nga Kongresi dhe i publikuar më 19 shtator, evidenton se nga 140 qeveri dhe entitete të vlerësuara, 71 përmbushën kërkesat minimale të transparencës fiskale, ndërsa 69 nuk i plotësuan ato. Nga këto të fundit, 26 bënë përparim të konsiderueshëm drejt arritjes së standardeve.
Departamenti i Shtetit vlerësoi se Shqipëria, së bashku me vende të tjera, garantoi transparencë në dokumentet buxhetore, kontratat dhe licencat publike, duke përmbushur kriteret e publikimit, duke dhënë informacion të plotë në përmbajtje dhe të besueshëm.
Raporti thekson se transparenca fiskale është një element kyç i menaxhimit efektiv të financave publike, rrit besimin e tregut dhe forcon llogaridhënien e qeverive përballë qytetarëve.
