“Jam i bindur se nëse duam të kemi sukses në tregun global, së pari duhet të performojmë mirë në tregun kinez”, kështu u shpreh Roland Busch, president dhe kryeekzekutiv i gjigantit teknologjik gjerman Siemens, në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG).
Më 28 mars, Buschi u prit nga Presidenti Xi Jinping, së bashku me personalitete të tjera të qarqeve industriale dhe tregtare ndërkombëtare.
Në takim, Kreu i Shtetit i Kinës theksoi se kompanitë me investime të huaja janë pjesëmarrëse të rëndësishme në modernizimin kinez, në reformat e hapjet, si edhe në risitë e Kinës gjatë integrimit të vendit në botë dhe në globalizimin ekonomik.
Sipas tij, gjatë këtij procesi, investitorët e huaj patën zhvillim të pandërprerë, duke krijuar bashkëpunime me përfitime të ndërsjella.
Lidhur me këtë, Buschi tha se pritja nga Presidenti i Kinës sinjalizon gatishmërinë e Kinës për hapjen e mëtejshme të tregut dhe mirëpritjen e investimeve të huaja. “Kjo na bëri përshtypje të thellë” dhe “është inkurajuese”.
Sipas tij, para më shumë se 150 vjetësh, Siemensi hyri në tregun kinez. Tani, kompania ka mbi 30 mijë punonjës dhe 5000 prej të cilëve merren me zhvillim dhe studim. Në të ardhmen, ai do të çojë përpara strategjinë e vetë, të studiojë dhe prodhojë më shumë produkte që shkojnë me tregun kinez për të promovuar në mbarë botën, duke shfrytëzuar plotësisht mundësitë e tregut kinez dhe të talenteve kineze.
Drejtori i Siemensit tha se tani bota po përjeton një transformim të madh, të nxitur nga faktorë të ndryshëm, si dobësia e zinxhirëve të furnizimit të ndikuar nga loja gjeopolitike, luftërat dhe zhvillimi i vrullshëm teknologjik si inteligjenca artificiale. “Këto ndryshime kërkojnë që ndërmarrjet, ekonomitë dhe vendet e ndryshme të ripërshtaten. Kam vëzhguar temat kryesore në raportin e punës dhe praktikat e qeverisë kineze në vitet e fundit. Zbulova se mendimet e qeverisë kineze përputhen fiks me ato të zhvillimit të Siemens-it”, shtoi Buschi në intervistë.
Ai theksoi performancën e shkëlqyer të studiuesve kinezë, duke vlerësuar arritjet e jashtëzakonshme të “DeepSeek”, cilësinë e baterive të makinave etj.
“Jam i bindur se Kina është një ndër tregjet më inovative në botë” dhe “nëse duam të kemi sukses në tregun global, së pari duhet të performojmë mirë në tregun kinez.”/cgtn