James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, po vazhdon sot dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Seanca në Dhomat e Specializuara të Kosovës – me seli në Hagë të Holandës, nisi në orën 9:00.
Në ditën e dytë të dëshmisë, James Rubin po shoqërohet nga një përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Dëshmitari i mbrojtjes, James Rubin tha se “derisa e kuptuan situatën më mirë”, Shtetet e Bashkaura të Amerikës e përshkruanin UÇK-në si “organizatë që zhvillonte aktivitete terroriste”.
“Ndoshta ne shkelëm dëshirën që të ishim në anën e engjëjve gjithmonë, sepse për një periudhë të caktuar kohore derisa e kuptuam më mirë situatën, ne fillimisht e përshkruam UÇK-në si organizatë që zhvillonte aktivitete terroriste dhe ne sigurisht me gjithë dëshirën që kishim të ishim në anën e engjëjve, ne nuk donim që të vidheshim apo të mbështesnim që zhvillojnë apo bëjnë aktivitete terroriste. Ky qëndrim pastaj ndryshoj me kalimin e kohës, veçanërisht pasi UÇK u pajtua me marrëveshjen e Rambujesë, dhe pastaj e konsideruam atë që ishin në anën e engjëjve sepse nënshkruan marrëveshjen e paqes”, u shpreh ai.
Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin gjatë dëshmisë së tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se e shqetëson fakti që ish-krerët e UÇK-së janë mbajtur kaq gjatë në paraburgim, pasi siç tha ai janë dorëzuar vullnetarisht.
“Më shqetëson fakti që [ish-kreret e UCK-së] janë mbajtur kaq gjatë në paraburgim. Ndërkohë që janë dorëzuar vullnetarisht”, tha ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, gjatë ditës së dytë të dëshmisë së tij në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi, në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ai më tej ka thënë se: “Duke i ditur zhvillimet, mendoj se është gabim, kjo nuk është drejtësi. Kam menduar, kam lexuar, kam folur me juristë dhe më kanë thënë se është një trajtim i pazakontë për një burrë shteti që është dorëzuar vullnetarisht”.
Dëshmia e tij po vazhdon me pyetjet e prokurorit të specializuar, James Pace.
Në dëshminë e tij, James Rubin të hënën kujtoi takimet me ish-presidentin e Kosovës, derisa hodhi poshtë pretendimet se Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi e drejtues të tjerë të UÇK-së kanë ekzekutuar apo vrarë njerëz.
Paraprakisht, në pyetjet e avokates së Jakup Krasniqit, Venketasëari Alagenda, Rubin tha se serbët janë përpjekur të fajësojnë gjithmonë UÇK-në.
James Rubin është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit e cila ka paraparë që në gjykatore t’i sjell rreth 11 dëshmitarë. Më pas, procesi gjyqësor do të vazhdojë me dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Bashkë me Thaçin dhe Krasniqin, po gjykohen edhe ish-kryekuvendari Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Avokatët e tyre nuk synojnë të paraqesin dëshmi mbrojtëse. Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon ata me krime të pretenduara të luftës. ZPS-ja ka thënë se ata ishin pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.
Në anën tjetër, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar përfundoi me dëshmitarët e saj dhe e mbylli çështjen. Prokuroria i pati sjell 125 dëshmitarë në sallë dhe është mbështetur në mbi 130 dëshmi ne shkrim.
Mbrojtja e katërshes së UÇK-së i mohon akuzat dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese.
Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ishte bërë publike vjeshtën e vitit 2020. Prej atëherë, ata qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.
Gjyqtarët në Speciale presin që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të paraqesë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.