Nga Eljanos Kasaj*
Gjatë javës së kaluar, në frymën festive të javëve përkujtimore të Ditës së Fitores, një monument bazoreliev i Josif Visarionoviç Stalinit, u zbulua në stacionin Taganskaja të Metrosë së Moskës, kopje e monumentit që u instalua gjatë përfundimit të stacionit në vitin 1950 dhe që u hoq gjatë procesit të de-stalinizimit të Hrushovit të fillimit të viteve 1960.
Por ky event nuk është diçka e izoluar ose thjesht sub-kulturale nga ndonjë pjesë e shoqërisë e cila ka ende dashuri ose nostalgji për Bashkimin Sovjetik.
Kur Vladimir Putin mori funksionet e presidentit prej Boris Jelcinit në fund të shekullit të kaluar, në të gjithë Federatën Ruse kishte vetëm një grusht monumentesh dhe statujash të tilla të Stalinit. Por sot, ka mbi 100, të shpërndara në qytetet kryesore të vendit dhe rajone më të largëta. Me më shumë që zbulohen çdo vit, veçanërisht për të shënuar përkujtimet vjetore të Ditës së Fitores, ku duket se monumenti i Stalinit është gjithnjë e më shumë një tipar i jetës së përditshme në Rusinë e presidentit Putin.
Ky kthimi në rritje i kultit stalinist të personalitetit shkon edhe më thellë-duke përfshirë edhe artin dhe kulturën(si në veprat kinematografike, monumentale, pikturën, etj). Portretizimet pozitive të liderit dikur u hoqën tërësisht nga opinioni publik, fillimisht nën udhëheqjen e Nikita Hrushovit dhe më pas përsëri në vitet 1990, pas ŕënies së Bashkimit Sovjetik, kur qeveria e Presidentit Jelcin hapi arkivat sekrete shtetërore dhe njëkohësisht edhe diskutimet publike për të kaluarën, duke ekspozuar plotësisht rolin personal të Stalinit në krimet e epokës sovjetike. Por tani, askush nuk duket se interesohet më për to dhe Ai duket se është kudo.
Ky rikthim i kultit të Stalinit është shoqëruar me një rikthim të kultit të heroit partizan dhe njëkohësisht me një lënie në hije të së kaluarës së errët sovjetike-ku publikut rus sot-ashtu si vizitorëve të huaj gjatë viteve 1930- vitet staliniane i prezantohen fort romantike, prej filmave propagandistik si “Dashuri në Bashkimin Sovjetik”(2024) ose në serialin televiziv “Vasili i biri i Stalinit”(2013)-ndërkohë që Muzeu i Historisë së Gulagut në Moskë, një prej muzeve më të mëdhenj në botë të përkujtimit të atyre miliona jvetëve që u morrën ose shkatërruan prej “babait të popujve” u vendos të mbyllej më Nëntor 2024 për arsye “teknike sigurie”, ndërsa dita ndërkombëtare e demokracisë në Rusi(15 Shtatori), e cila përkujton kohën kur qindra mijra të rinj dhe të reja moskovite, intelektual, disident dhe njërez liridashës i dolën përpara tankeve sovjetike në mbrojtje të qeverisë të zgjedhur demokratisht të Jelcinit, është harruar plotësisht dhe gjenratat e reja as nuk e kanë idenë se egziston, pa harruar të përmendim lënien në hije prej programeve arsimore të shkrimtarëve dhe artistëve disident rus, si nobelistitët Aleksandër Sollzhenjicin, Josif Brodskij dhe Boris Patsernak, dhe shume figura të tjerat të artit dhe kulturës disidente ruse, të periudhës sovjetike.
Shteti duket se ka udhëhequr rrugën, potencialisht në një përpjekje për të formësuar qëndrimet sociale dhe kujtesën kolektive. Për më shumë se një dekadë, tekstet shkollore dhe mësimet e kanë portretizuar Stalinin në një mënyrë gjithnjë e më pozitive, duke e kthyer atë nga një përbindësh represiv në një figurë të dashur publike që fitoi të Luftën e Madhe Patriotike(1941-1945) në emër të popujve sovjetik, për “begatinë dhe paqen e të cileve” nuk u ngurua që vendi të kthehej në një kamp gjigand përqendrimi, duke u hequr drithin fshatarëve, duke torturuar deri në dhjetë milionë njerëz në Ukrainë dhe Kuban nga uria, ndërsa në kampet e Gulagut në Siberi, Kazahstan ose Arktik numri i të vdekurve arrinte në dhjetëra milionë. Prandaj sot, në kohën e alenacave të ngushta me Korenë e Veriut, Republikën Popullore të Kinës, Kubën, etj, Stalini portretizohet si një element jetik – nëse jo më i rëndësishmi, duke lënë në hije figurat e gjeneralëve që luftuan në betejat e Stalingradit, Leningradit, Kurskut, Berlinit,etj – i kultit të luftës që formon sot pjesën më të madhe të kujtesës historike Putiniste, por që tregon edhe një pasqyrë se shoqëria moderne ruse nuk duket fort ndryshe se ajo e viteve staliniane, si në tipare karakterologjike ashtu edhe në konditat sociale, kulturale dhe politike…
*Fakulteti i Shkencave Politike dhe Politikave Botërore, Universiteti i Wrocłw(Poloni)
/Argumentum.al