Aleanca perëndimore e mbrojtjes po kryen një vlerësim të plotë pasi dronët rusë u rrëzuan ndërsa hynin në hapësirën ajrore polake, tha sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
“Pavarësisht nëse ishte i qëllimshëm ose jo, është absolutisht një veprim i pamatur dhe absolutisht i rrezikshëm”, tha Rutte duke iu referuar incidentit.
“Bëj thirrje për ndalimin e shkeljes së hapësirës ajrore aleate. Ne jemi të gatshëm dhe vigjilentë për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të NATO-s”, tha ai në një mesazh drejtuar presidentit rus Vladimir Putin.
“Përveç Forcave Ajrore Polake, në rrëzimin e dronëve, u përfshinë edhe disa anëtarë të NATO-s”, tha Rutte.
“Mbrojtja jonë ajrore u aktivizua dhe siguroi me sukses mbrojtjen e territorit të NATO-s, siç janë projektuar masat”, tha ai.
“Ambasadorët e NATO-s diskutuan situatën pas kërkesës së Polonisë për konsultime”, tha sekretari i përgjithshëm.
“Ne do ta monitorojmë nga afër situatën përgjatë krahut tonë lindor dhe mbrojtja ajrore e NATO-s vazhdon të jetë në gatishmëri”, theksoi Rutte.