Takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Europian dedikuar Planit të Rritjes për rajonin, po zhvillohet në Shkup, Maqedoni e Veriut, me një agjendë diskutimesh mbi bashkëpunimin ekonomik, reformat dhe integrimin drejt tregut të përbashkët rajonal.
Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos në fjalën e saj tha se ky proces nuk është për qeveritë, por për njerëzit.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për bashkëpunimin rajonal dhe konsideron se vendi ndodhet më afër se kurrë anëtarësimit në BE.
“Sot jemi këtu për një tjetër ndalesë të rrugës së përbashkët, që lidhet me zbatimin e Planit të Ri të Rritjes, një plan i cili po ecën si duhet dhe po na afron për t’u lidhur më shumë me Bashkimin Europian. Ne jemi shumë krenarë, sepse kemi praktikisht përmbushur deri më tani të gjitha pikat për zbatim dhe vazhdojmë me pikat e tjera sipas kalendarit”, u shpreh Rama.

“Kurrë nuk kemi qenë më afër realizimit të një aspirate shumëshekullore, do thosha, dhe nga ana tjetër, më vjen mirë që ka një atmosferë të përgjithshme pozitive në këtë drejtim. Jemi shumë afër, nuk kemi qenë asnjëherë më afër. Jemi shumë afër dhe besoj shumë që ne do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona, siç kemi paraparë edhe afatet me Komisionin Europian dhe plani i përbashkët do të realizohet plotësisht”, shtoi ai.
Ky takim mbahet në ditën e parë të marrjes së Presidencës së radhës së BE-së nga Danimarka.

Fokusi kryesor i bisedimeve është vlerësimi i Planit të Rritjes, propozimet për iniciativa të reja dhe bashkëpunimin ekonomik përmes Tregut të Përbashkët Rajonal, të konceptuara në dy panele diskutimi; Paneli i parë: “Plani i Rritjes: Vlerësimi, hapat e ardhshëm dhe komunikimi”, ku do të bëhet vlerësimi i Planit të Rritjes në të gjitha shtyllat e tij, si dhe do të diskutohet mbi iniciativat e propozuara në Shtyllën 1 (Turizmi, mbrojtja e konsumatorit dhe “Autostrada” e Tregut të Përbashkët) dhe lidhjet me Tregun e Përbashkët Rajonal.
/Argumentum.al