Palët ndërluftuese të Libisë dhe përfaqësuesit e fuqive të huaja po mbërrijnë në Berlin për një samit të parashikuar për të diskutuar rreth alternativave që do ti jepnin fund konfliktit të zgjatur në Afrikën e Veriut.
Kreu i qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të Tripolit, Fayez al-Sarraj, dhe rivali i tij, komandanti ushtarak renegat, Khalifa Haftar, pritet të marrë pjesë në mbledhjen e së dielës të mbështetur nga Kombet e Bashkuara në kryeqytetin gjerman, ngjarja e parë e tillë që nga viti 2018.
Presidentët e Rusisë, Turqisë dhe Francës janë pjesë e bisedimeve. Samiti njëditor do të përfshijë gjithashtu Sekretarin e Shtetit të SHBA, Mike Pompeo, dhe drejtues nga vendet evropiane dhe të Lindjes së Mesme.
Samiti i së dielës në Berlin është përpjekja e fundit për të rivendosur stabilitetin dhe paqen në Libi, e cila është përhapur mes fraksioneve konkurruese dhe milicive qëkur ish-udhëheqësi Muammar Gaddafi u rrëzua dhe u vra gjatë një kryengritjeje të mbështetur nga NATO në 2011.
Vendi thellësisht i ndarë aktualisht ka dy administrata rivale: Qeveria e Pajtimit Kombëtar me qendër në Tripoli (GNA) – e cila njihet nga Kombet e Bashkuara dhe Ushtria Kombëtare Libiane (LNA), forca besnike ndaj gjeneralit Haftar që kontrollon pjesën më të madhe të Libisë Lindore.
Ashtu si me përpjekjet e mëparshme të dështuara për të siguruar një armëpushim të qëndrueshëm, Haftar, i cili në prill të vitit të kaluar nisi një ofensivë për të marrë Tripolin, do të jetë në fazën qendrore pasi fuqitë ndërkombëtare shpresojnë të bëjnë presion mbi të për të vazhduar armëpushimin e ndërmjetësuar nga Rusia dhe Turqia që ka nisur prej një jave.
Palët ndërluftuese në fillim të këtij muaji ranë dakord për armëpushimin, megjithëse Haftar u largua në mënyrë demostrative nga bisedimet në Moskë më 12 janar para nënshkrimit të marrëveshjes së zyrtarizuar me al-Sarraj.
Forcat besnike ndaj Haftarit përshkallëzuan konfliktin të premten kur fiset aleatë mbyllën portet lindore të naftës, duke shkurtuar prodhimin e naftës me 800,000 fuçi në ditë dhe duke shkatërruar burimin kryesor të të ardhurave të Tripolit.
Masa ishte një protestë kundër vendimit të Turqisë për të dërguar trupa për të mbrojtur GNA.
Haftar mbështetet nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Jordania, Sudanezët, Luftëtarët Chadian dhe së fundmi nga mercenarët rus. Franca gjithashtu është akuzuar se i ka dhënë mbështetje.
Haftar dëshiron që fraksionet e armatosura në Libinë perëndimore të shpërbëhen dhe ka bërë thirrje që një marrëveshje detare dhe ushtarake midis GNA dhe Turqisë të hiqet.
Duke nënvizuar aksionet e përfshira, Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas tha “Evropa dhe ata lojtarë që janë me ndikim” në rajon janë thirrur të gjithë në Berlin, sepse “ne duhet të sigurohemi që Libia të mos bëhet një Siri e dytë”.
“Konferenca mund të jetë hapi i parë për paqen për Libinë,” i tha Maas gazetës Bild.
Hashem Ahelbarra i Al Jazeera, duke raportuar nga Berlini, tha se bashkësia ndërkombëtare është e angazhuar për t’i dhënë fund konfliktit që mund të intensifikohet, duke kërcënuar sigurinë e Evropës.
Kombet e Bashkuara shpresojnë se të gjitha palët do të nënshkruajnë një marrëveshje ku përjashtojnë ndërhyrjen ushtarake dhe angazhohen për një armëpushim që i jep fund konfliktit dhe armiqësive.
Dokumenti gjithashtu i bën thirrje të gjitha palëve që të angazhohen përsëri në embargon e armëve të Kombeve të Bashkuara dhe ngre perspektivën e bisedimeve politike ndërlibiane në Gjenevë në fund të muajit.
Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, pjesëmarrësit në Berlin do të mbajnë një konferencë për shtyp në mbrëmje.