Nga Eljanos Kasaj
Samiti midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në Alaskë më 15 Gusht, duket sa ka pasur një impakt të madh politik, të trumbetuar sigurisht edhe nga jehona mediatike dhe nga misteret që rrethuan bisedimet me dyer të mbyllura dhe rezultatet ende të paqarta për publikun dhe elitat politike në botë.
Nuk vonuan sigurisht edhe reagimet-ku, në Evropë, spikatën ato të dy kryeministrave sovranist të Sllovakisë dhe Hungarisë, Robert Fico dhe Viktor Orban.
Kryeministri sllovak Robert Fico e ka quajtur takimin midis presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij amerikan Donald Trump në Alaska si një pikë kthese e cila shënoi një moment të rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Në një vidiomesazh të publikuar në platformën sociale Facebook ai theksoi se vetë takimi midis dy udheheqësve ishte rezultati më i rëndësishëm i Samitit. “Samiti i Alaskës arriti disa objektiva kyçe. Së pari, ai sfidoi narrativën bardh e zi të konfliktit ushtarak në Ukrainë – një narrativë që është shtyrë vazhdimisht nga administrata Biden dhe vazhdon të përhapet nga disa aktorë politikë me ndikim në Bashkimin Evropian.”
Së dyti, samiti ofroi një moment për udhëheqësit evropianë për të reflektuar mbi situatën bazuar në faktet aktuale në terren-ku gjithashtu ai ngriti akuza të forta mbi vendimin elitave politike në Bruksel për të shpenzuar miliarda për armët amerikane, sanksionet që po e shkatërronin ekonominë evropiane dhe për zgjatjen artificiale të konfliktit të armatosur ruso-ukrainas në vend që të përpiqen për paqen. Ai theksoi se rruga drejt zgjidhjes së krizës nuk qëndron në akuzat kundër udhëheqjes politike ruse apo në sanksione. Përkundrazi, progresi mund të arrihet vetëm përmes negociatave konstruktive”, vijoj më tej kryeministri Fico.
Së fundi ai e përmbylli fjalimim e tij duke emfazuar rëndësinë e garancive të barabarta të sigurisë sapo të përfundojë konflikti ukrainas, duke mbrojtur masat që trajtojnë në mënyrë të drejtë si Ukrainën ashtu edhe Rusinë.
Ndërsa kryeministri bismarkian hungarez Viktor Orban, duke komentuar mbi rezultatet e Samitit, tha se “bota është një vend më i sigurt pas takimit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në Alaska”.
“Për vite me radhë, kemi parë dy fuqitë më të mëdha bërthamore të eliminojnë kornizën e bashkëpunimit të tyre dhe t’i dërgojnë mesazhe njëra-tjetrës”, shkroi kryeministri Orban në platformën sociale Facebook. “Tani kjo ka mbaruar. Bota është një vend më i sigurt sot sesa ishte dje.”- përfundoi kryeministri hungarez.
Ndonëse më pak se një ditë që nga përfundimi i Samitit historik në Alaska, duket se jo vetëm bota-po të citojmë fjalët e kryeministrit hungarez-por, edhe arena politike evropiane(e dominuar prej shumë kohësh tashmë nga ideologjitë leftiste dhe neo-liberale se sa nga mendimi racionalist) është kthyer në një vend më të sigurt për të shprehuar mendimet e guximshme dhe logjike(të bazuara në fakte aktuale në terren), të cilat duken se po e theksojnë fragmetimin brenda Bashkimit Evropian, gjë që duket se jo larg mund të ktheht në faktorin kryesor që do të sjell edhe shkërmoqjen e tij…
/Argumentum.al