Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio paralajmëroi dje se qeveria tranzitore e Sirisë mund të jetë në prag të një kolapsi.
“Autoriteti kalimtar, duke pasur parasysh sfidat me të cilat po përballet, është në prag të një kolapsi të mundshëm dhe një lufte civile në shkallë të plotë me përmasa epike”, tha Rubio në një seancë dëgjimore të Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit të SHBA-së.
Ai bëri thirrje për mbështetjen e autoriteteve tranzitore të Sirisë.
“Nëse shikoni historinë e rajonit, kur Siria është e paqëndrueshme, rajoni bëhet i paqëndrueshëm”, tha ai.
Deklarata e Rubio erdhi pasi ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian vendosën të hiqnin sanksionet ekonomike ndaj Sirisë.
Javën e kaluar, presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi heqjen e të gjitha sanksioneve të SHBA-së ndaj Sirisë.
Sanksionet u vendosën nga SHBA-ja dhe vendet e tjera pas luftës civile që shpërtheu nën drejtimin e ish-presidentit Bashar al-Assad. Regjimi i tij u rrëzua në fillim të dhjetorit nga një aleancë rebele islamike.
Pavarësisht rrëzimit së al-Assad, paqëndrueshmëria në Siri vazhdon ende.
Kohët e fundit kanë shpërthyer përleshje midis pakicës druze dhe milicive sunite, dhe në fillim të marsit qeveria kalimtare nisi operacione ushtarake në përgjigje të sulmeve nga besnikët e al-Assad.