Se çfarë është diskutuar në bisedën prej thuajse 60 minutash dhe me dyer të mbyllura mes Lulzim Bashës dhe Yuri Kim në selinë e Partisë Demokratike, pak persona mund të jenë në dijeni, por në publik kreu i opozitës dhe kryediplomatja amerikane në Tiranë lanë të kuptohej se biseda është përqendruar vetëm tek reforma zgjedhore.
Ambasadorja Kim kërkoi që politika t’i përmbahet zotimit që u ka bërë shqiptarëve për përmbylljen e kësaj reforme brenda 31 majit.
“Diskutimi ynë ishte përqendruar për të vendosur për të ardhmen dhe jo për të shkuarën. Në veçanti folëm për rëndësinë e rolit të udhëheqësve politikë për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë, ashtu siç kanë premtuar për të përmbyllur reformën zgjedhore brenda 31 majit. Ky nuk është afat i vendosur nga SHBA, apo nga ndonjë faktor tjetër ndërkombëtar. Ky është afati i vendosur prej atyre vetë”, deklaroi Ambasarorja.
Nga 31 maji na ndajnë pak ditë dhe për gjetjen e një marrëveshjeje mes palëve në Këshillin Politik janë disa çështje të nxehta, për të cilat të paktën publikisht, socialistët dhe demokratët kanë shfaqur diferenca të mëdha. Pikërisht për këtë, Kim thotë se opozita ka një detyrë shumë të vështirë përpara, por u shpreh e inkurajuar nga mesazhi që kishte marrë nga Lulzim Basha për të përmbyllur këtë reformë.
Cili ka qenë mesazhi i Bashës?
Ambasadorja nuk e shtjelloi më tej për të kuptuar më shumë nëse do të thotë kjo një tërheqje të opozitës nga një pjesë e kushteve që ka vendosur për reformën zgjedhore, mes të cilave edhe Qeveria kujdestare dhe përforcimi i rolit të organeve ligjzbatuese dhe përfshirja edhe e SPAK-ut në hetimin e krimit zgjedhor?
Si Ambasadorja, ashtu edhe kryetari i PD-së shmangën komentet e mëtejshme dhe mbetet e paqartë nëse mes tyre janë diskutuar tema të tjera, siç është ajo e reformës në drejtësi, reformë e cila duket se ka rindezur përplasjet mes selisë së Rrugës së Elbasanit dhe Presidentit Ilir Meta.
h.e/ Argumentum