Shqipëria është zgjedhur nëndrejtuese e sesionit të 33-të të Konferencës Rajonale Europiane të FAO, që po zhvillon punimet në Lodz të Polonisë, me pjesëmarrjen e rreth 50 vende nga Evropa dhe Azia Qendrore, për të diskutuar çështjet urgjente të sigurisë ushqimore dhe transformimin e sistemeve agroushqimore.Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca e pranishme në këtë takim, u shpreh se, “kjo tryezë përbën themelin më të rëndësishëm për të ardhmen e bujqësisë në botë, duke vendosur në fokus sigurinë ushqimore dhe stabilizimin e tregut global”.
Takimi vjen në një kohë krizash të zgjatura, pasi rajoni po përballet me sfidat e shkaktuara nga COVID-19. Ndërkohë, konflikti në Ukrainë po ndikon në prodhimin dhe tregtinë e produkteve kryesore agroushqimore dhe po kërcënon jetën dhe jetesën e miliona njerëzve në Evropë dhe Azinë Qendrore, e më gjerë.

Vendet pjesëmarrëse do të diskutojnë çështje që prekin sigurinë ushqimore dhe bujqësinë në nivel botëror, duke përfshirë rritjen e çmimeve globale të ushqimeve dhe do të ndajnë qasjet e tyre për transformimin e sistemeve agroushqimore në Evropë dhe Azinë Qendrore për sigurimin e zinxhirëve të qëndrueshëm të vlerës së ushqimit.