E etur për zgjerim, por me ndarje mes anëtarëve të saj, negociatat e samitit të NATO-s zbulojnë që konsensusi evropian për sigurinë është i vështirë për t’u arritur. Objektivi i propozuar i shpenzimeve të mbrojtjes prej 5% ka ekspozuar më tej ndarjen lidhur me sigurinë midis ShBA-së e BE-së dhe përçarjet e thella midis shteteve anëtare të NATO-s. Në një sondazh global nga CGTN-i, 67.4 për qind e të anketuarve e dënojnë zgjerimin e përshpejtuar ushtarak të NATO-s, duke paralajmëruar që kjo mund të shkaktojë një garë të re armatimesh dhe të kërcënojë rëndë paqen e qëndrueshmërinë globale.
Foto nga CMGSa ambicioz është zgjerimi i NATO-s? Numrat e tregojnë: Shpenzimet ushtarake globale në vitin 2024 arritën në 2.72 trilion dollarë, nga të cilat 1.5 trilion dollarë prej NATO-s, duke zënë 55 për qind të totalit botëror. Pavarësisht çekuilibrit në fuqinë ushtarake globale, NATO-ja vazhdon t’i shtyjë anëtarët të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5 për qind të PBB-së. Lidhur me këtë, 84.7 për qind e të anketuarve besojnë se NATO-ja është bërë një makinë e plotë lufte dhe 80.4 për qind mendojnë që duhet vigjilencë mbi zgjerimin e shpejtë ushtarak të Aleancës. Për më tepër, 73.8 për qind e pjesëmarrësve në sondazh mendojnë që arritja e objektivit prej 5% do të përshpejtojë çekuilibrin ushtarak global, duke përbërë një kërcënim serioz për paqen e sigurinë botërore.
Foto nga CMG
Megjithatë, ambiciet e mëdha të NATO-s përplasen me realitetin e ashpër. Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez e hodhi poshtë hapur objektivin prej 5 % si “jopërpjesëtimor dhe të panevojshëm”, një pikëpamje e mbështetur nga 80.1 për qind e të anketuarve, të cilët argumentojnë se detyrimi i anëtarëve evropianë të NATO-s për të rritur në mënyrë drastike shpenzimet e mbrojtjes mund të çojë në taksa më të larta ose në ulje të mirëqenies, që në fund të fundit i përballojnë qytetarët evropianë. Ndërkohë, 76.2 për qind e të anketuarve besojnë se mosmarrëveshja për shpenzimet do të shkaktojë përçarje të mëtejshme ndërmjet shteteve evropiane anëtare të NATO-s. Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, dikur kërcënoi që do të zvogëlojë angazhimet e sigurisë të Amerikës nëse aleatët nuk do të paguanin më shumë. 76.6 për qind e pjesëmarrësve në sondazh i akuzojnë Shtetet e Bashkuara për shpërfillje të shqetësimeve të aleatëve evropianë. Bashkëpunimi në fushën e sigurisë ndërmjet Evropës dhe ShBA-së mund të dobësohet më tej, ndërsa përçarjet brenda NATO-s vijojnë të zgjerohen.
Sondazhi, i zhvilluar në platformat e CGTN-it në anglishte, spanjishte, frëngjishte, arabishte e rusishte, mblodhi pikëpamjet e 6000 pjesëmarrësve të huaj brenda 12 orëve./cgtn