Në rast se nuk aplikojnë është e parashikuar një masë administrative, sipas të cilës “Moskryerja e aplikimit nga ana e subjektit të të punësuarit apo ish-të punësuarit që plotëson kushtet për të përfituar ndihmën financiare, gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore të shpallur si pasojë e COVID-19, dënohet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
Drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, sqaron se gjoba parashikohet të vihet për çdo punonjës për të cilin nuk është aplikuar.
Vendosja e kësaj mase administrative ka shkaktuar shqetësime tek subjektet të cilat ose nuk po arrijnë të aplikojnë dot, ose i kanë paguar punonjësit e tyre në këtë periudhë ndonëse mund t’i kenë hequr nga lista e sigurimeve, ose punonjësit janë larguar me dëshirën e tyre për arsye që nuk lidhen me situatën e krijuar nga Covid-19.
Por Ibrahimaj sqaron se së pari, gjobat nuk do të jenë automatike, por do të verifikohen rast pas rasti. “Pas përfundimit të afatit do të marrim në shqyrtim të gjithë listën e bizneseve dhe do të vendosim penalitetet aty ku gjykojmë që nuk ka pasur aplikime pa një arsye të fortë. Megjithatë dhe këto gjoba pas të gjithë procedurave të legjislacionit në fuqi tatimpaguesit do të kenë të drejtë të ankohen për një afat 30 ditor”.
Tatimet kanë njoftuar se të gjithë tatimpaguesit të cilët i kanë trajtuar me pagë të plotë të punësuarit apo ish-të punësuarit e tyre, nuk do jenë subjekt i këtij penaliteti. Tatimpaguesi duhet që të plotësojë formularin e ankesës, brenda datë 05 Qershor 2020, dhe ta ngarkojë atë në menunë ‘’Çështjet e Mia’’, në llogarinë në e-filing. (formulari në fund të link Pas datës 5 Qershor do të gjobiten subjektet që nuk kanë aplikuar – Ankesat do të pranohen brenda 30 ditëve nga vendosja e gjobës)
Deri tani nga paketa e dytë janë miratuar kërkesat për 144 mijë punonjës dhe janë dhe rreth 13 mijë të cilët po verifikohen nëse i përmbushin kriteret e VKM dhe që potencialisht mund të jenë përfitues të ndihmës financiare. Ndërsa rreth 27 mijë punonjës janë refuzuar. Ka ende tatimpagues të cilët pritet që të plotësojnë kërkesën për ndihmë financiare për të gjithë individët e publikuar si përfitues. Gjithashtu janë dhe rreth 19.8 mijë ankesa që po shqyrtohen.