Teksa qytetarët ushtrojnë të drejtën e votës, SPAK, BKH dhe forcat policore janë të pranishme në terren për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe për të parandaluar krimet zgjedhore. Ndërkohë, Policia e Shtetit ka vendosur mbi 5 mijë efektivë në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë gjithë procesit.
Kreu i SPAK votoi në qendrën e votimit në shkollën “At Zef Pëllumbi” në njësinë nr 5 në Tiranë, i shoqëruar me bashkëshorten e tij. Gazetarëve ai iu tha shkurt se: “Do kemi komunikim pas zgjedhjeve”.
Prokurorët e SPAK do të jenë në çdo qark të vendit, kryesisht në zonat të cilat konsiderohen të nxehta si Fieri, Elbasani, Shkodra dhe Lezha. Policia, gjatë votimit, në rast se nga komisionet e qendrave të votimit, koordinatorët, KZAZ-të apo KQZ-ja do të kenë kërkesa për ndërhyrjen e Policisë, në zbatim të Kodit Zgjedhor, Policia ka lënë pikat e kontaktit me komisionet dhe do të veprojë në kohë, konform përcaktimeve ligjore.
Në orën 18:00, shërbimet e policisë do të marrin në ruajtje të gjitha objektet e VNV-ve ku do të bëhet numërimi i votave dhe shërbimi do të vijojë deri në përfundim të të gjithë procesit.
Në bashkëpunim me OSCE-në, KQZ-në dhe me Prokurorinë e Përgjithshme, janë trajnuar 6838 punonjës police me uniformë, si dhe 813 specialistë për Hetimin e Krimeve, të cilët u angazhuan për hetimin e krimeve zgjedhore. Gjatë fushatës elektorale, nga strukturat e Policisë së Shtetit u angazhuan maksimalisht 6500 punonjës policie, për mbarëvajtjen e aktiviteteve elektorale të zhvilluara në ambiente të hapura dhe të mbyllura.