Ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se një numër telefonik nga i cili u bë një kërcënim për sulm me bombë në Kuvendin e Kosovës të shtunën lidhet me Ratko Mlladiqin.
Kërcënimi me bombë të shtunën në Kuvendin e Kosovës – që detyroi evakuimin e deputetëve dhe shtyrjen e seancës konstituive për në mbrëmje – ishte i rrejshëm, sipas autoriteteve kosovare.
Sveçla tha të dielën në Facebook se autoritetet e sigurisë e trajtuan me prioritet të lartë “këtë sulm hibrid” ndaj institucioneve të Kosovës, i cili është “konfirmuar se ka origjinën në Serbi”.
Ai tha se numri i telefonit nga i cili është bërë kërcënimi është i regjistruar në Serbi dhe i përket kompanisë telefonike MTS.
“Shfrytëzuesi i numrit ka qenë ose është shtetasi serb Lazar Zhivkoviq. Në disa profile të lidhura me këtë numër është gjetur fotografia e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq”, tha Sveçla pa dhënë ndonjë hollësi për këtë.
Mlladiq është dënuar nga Tribunali i Hagës me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit, shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës, gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnje e Hercegovinë.
Të shtunën, prokurori që e hetoi rastin, Zejnullah Gashi, tha se kërcënimi erdhi nga një burrë përmes telefonit dhe se një hetim kibernetik për ketë është duke u zhvilluar.
Zejnullahu shtoi se kërcënimi u bë nga një “person anonim, me zë mashkulli në gjuhën angleze dhe me një theks që ne mendojmë se është nga një shtet jomiqësor”, pa përmendur emrin e shtetit.
Policia e Kosovës, në orët e vona të së shtunës, tha se “bazuar në hetimet e deritanishme, dyshohet se kërcënimet kanë ardhur përmes një numri të telefonit i cili dyshohet se është nga Serbia”. /Rel