Dy ditë më parë deputeti socialist dhe ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj deklaroi se kriza duhet të ndihmohet nga të gjithë për t’u kapërcyer.
Në një platformë me disa pika ai propozonte uljen e pagave të administratës dhe rishikim të skemës së pensioneve.
Kjo ka ngjallur reagim të fortë në publik sa është detyruar të reagojë numri një dhe numri dy i qeverisë.
Erjon Braçe, zv/kryeministri i vendit, në një studio televizive foli për propozimin e Ilir Beqajt për uljen me 10% të pagës së të punësuarve në sektorin publik dhe prekjen e pensioneve suplementare.
“Nuk jam dakord me propozimin. Zoti Beqaj ka dhënë një mendim të tijin, që është në të drejtën e tij. Por, edhe unë kam të drejtën të jem kundër. Nuk ka asnjë iniciativë të qeverisë për të prekur pagat e sektorit publik dhe për të ulur pensionet suplementare”, tha Braçe.
“Unë mendoj se buxheti i shtetit ka akoma rezerva në shpenzime, duhet ta administrojë akoma më mirë dhe akoma me më shumë përgjegjësi shpenzimet operative”, shtoi zv/kryeministri.
Për propozimin e Ilir Beqajt ka reaguar deri diku indirekt edhe kryeministri Edi Rama. Indirekt, sepse Rama ka ironizuar një postim të mëhershëm të Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi pikërisht për propozimin e Beqajt.
“…Edi Rama ka nisur një eksperiment të ri dhe shumë të rrezikshëm me shqiptarët. Përmes Ilir Beqajt, një nga ministrat e tij më të diskretituar si të korruptuar, Edi Rama propozon uljen e pagave në sektorin publik e privat, si mënyrë për të furnizuar qeverinë me parà. Një propozim kriminal dhe i papranueshëm për çdo qeveri, që vendos të parin interesin e qytetarit.
Ditën kur propozon uljen e pagave të qindra mijëra njerëzve, Edi Rama ka paguar për PPP mafioze të inceneratorit të Tiranës 650 mijë euro. Po të mos kishte hallin e biznesit të vet me mafian e plehrave, me kaq parà, Edi Rama mund të kishte siguruar pagën e 3125 njerëzve të mbetur pa punë…”, komentonte Bardhi
Rama, nga ana e tij ka ironizuar gjithë postimin.
“Duhen gaz duhen dhe mend. Po mend nuk ka, ka vetëm gaz. Gaz, gaz, gaz! O Zot!”./h.e/argumentum. al/
© Argumentum