Teatri Kombëtar nuk do të ndërtohet me koncesion. Projekti i Teatrit të ri Kombëtar do të ndërtohet si një investim me fonde publike.
Me anë të një deklarate për mediat, Bashkia e Tiranës sqaroi sot se vendimi për ta ndërtuar godinën e re me fonde publike vjen në mbështetje të të gjitha kërkesave të komunitetit të artistëve për një teatër modern, i cili plotëson kriteret e nevojshme për realizimin profesional e me cilësi të shfaqjeve teatrale.
“Komisioni i vlerësimit dhe negocimit nisi punën me hartimin e thirrjes së hapur për palët private të interesuara, për të marrë pjesë në këtë procedurë konkurruese dhe paraqitjen e një oferte financiare për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe zhvillimin e zonës urbane. Thirrja e hapur u publikua në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës, si dhe u dërgua për botim në buletinin zyrtar të Agjencisë së Prokurimeve Publike”, thuhet në deklaratën për mediat.
Bashkia e Tiranës njoftoi se arsyet e mosrënies dakord me palën private, që ishte ofruar për ndërtimin e teatrit të ri, lidhen me pamundësinë e kompanisë për ta realizuar projektin në një kohë të shpejtë dhe sipas të gjitha kërkesave teknike të kërkuara nga përfaqësia e artistëve në komisionin e negocimit.
“Nisur nga interesi për të ndërtuar një godinë bashkëkohore dhe moderne, që plotëson të gjitha kushtet teknike për realizimin e shfaqjeve, e cila t’i shërbejë komunitetit artistik teatror dhe publikut artdashës, Qeveria dhe Bashkia e Tiranës vendosën që godina e re e Teatrit Kombëtar të ndërtohet nga shteti si një investim publik.
Për këto arsye, Bashkia e Tiranës do t’i kërkojë Qeverisë Shqiptare që ta mbështesë financiarisht për realizimin e kësaj vepre ikonike për qytetin dhe vendin tonë. Bashkia e Tiranës zotohet se do ta ndërtojë Teatrin e ri Kombëtar në një kohë më të shkurtër kalendarike dhe në përmbushje të të gjitha kërkesave teknike të shprehura nga komuniteti i artistëve në konsultimet publike”, thuhet më tej në deklaratë.
Ndër të tjera thuhet se “puna për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar do të nisë brenda vitit të 100-vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet të Shqipërisë”.