I ngarkuari me detyrën e ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj “bashkoi” partitë e Luginës së Preshevës,
Gent Cakaj, priti në një takim, në Tiranë, përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës.Ky takim kishte në fokus diskutime që lidhen me krijimin e një liste të përbashkët të partive shqiptare në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi. Kjo listë, e cila bazohet në parime të qarta programore, do të quhet “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”.
Partitë shqiptare në Luginën e Preshevës kanë vendosur të bashkohen në një listë të vetme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen së shpejti në Serbi.
Përfaqësuesit e partive u takuan në Tiranë bashkë me ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, në përfundim të të cilit nënshkruan edhe atë që u quajt “Marrëveshja për krijimin e listës së përbashkët zgjedhore të subjekteve politike shqiptare për zgjedhjet parlamentare në Republikën e Serbisë”.
Nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar, për herë të parë, Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Partia Demokratike, Lëvizja Reforma në PDSH dhe Lëvizja e Progresit Demokratik, do të veprojnë me një program, sa herë do të jenë në pyetje parimet kombëtare dhe çështja e Luginës së Preshevës.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje shënon bashkimin e palëve për të siguruar një përfaqësim sa më të lartë dhe për të krijuar një pozicion sa më të fuqishëm prej zgjedhjeve parlamentare në Serbi.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Cakaj vlerësoi arritjen e kësaj marrëveshjeje duke theksuar: “Sot përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës kanë dhënë shembullin më të vyer e domethënës se si shumë dallime partiake mund të artikulohen brenda vetëm një qëndrimi kombëtar.”
Sa i takon funksionit që do të ketë kjo marrëveshje Ministri në Detyrë Cakaj u shpreh: “Kjo listë do të ketë funksion të pazëvendësueshëm në ngritjen e një vargu të gjerë shqetësimesh me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës, duke filluar nga arsimi në shqip, përdorimi i lirë e i hapur i simboleve kombëtare, si dhe rritja e përfaqësimit në institucionet shtetërore. Bashkimi sot iu shërben qytetarëve të Luginës, por edhe shqiptarëve kudo që janë”.
© Argumentum