Presidenti i SHBA-së, Donald Trump do të anulojë të gjitha bisedimet tregtare me Kanadanë ndërsa ka paralajmëruar fqinjin verior për vendosjen e tarifave të reja.
“Ne do të njoftojmë Kanadanë për tarifën që do të paguajë – për të bërë biznes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – brenda periudhës së ardhshme shtatëditore”, tha dje Trump në një postim në media sociale.
Trump përmendi planin e Kanadasë për të vendosur një taksë digjitale ndaj kompanive amerikane si arsyen e anulimit të bisedimeve tregtare.
“Ky është një sulm i drejtpërdrejtë dhe i hapur ndaj vendit tonë”, tha Trump.
“Kanadaja padyshim po kopjon Bashkimin Evropian, i cili ka bërë të njëjtën gjë dhe aktualisht është në bisedime me ne”, tha ai
Qeveria kanadeze prezantoi një taksë të re digjitale (DST) një vit më parë, ndërsa ish-presidenti i SHBA-së, Joe Biden ishte ende në detyrë.
DST thuhet se i detyron kompanitë e mëdha vendase dhe të huaja të paguajnë një taksë prej 3% ndaj shitjeve të caktuara – të gjeneruara nga përdoruesit online në Kanada.
Me këtë qasje, Kanadaja synon të sigurojë që kompanitë digjitale të tatohen aty ku ato nxjerrin fitim – në këtë rast në fqinjin e saj amerikan.
SHBA-ja padyshim është vendi partner më i rëndësishëm tregtar i Kanadasë