Presidenti amerikan Donald Trump do të vizitojë Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) nga 13 deri më 16 maj, tha dje në mbrëmje zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Leavitt tha gjithashtu se Trump do të udhëtonte në Itali vetëm për një ditë – për të marrë pjesë në funeralin e papa Françeskut.
“Presidenti Trump do të niset nga Uashingtoni të premten në mëngjes dhe do të kthehet të shtunën në mbrëmje”, tha ajo.
Më herët, Trump deklaroi se do të shoqërohej nga bashkëshortja e tij Melania. Zëdhënësja nuk dha detaje të mëtejshme për itinerarin e tij në Itali.
Udhëtimi në Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ishte prej kohësh i planifikuar në axhendën e Trump, por nuk ishte vendosur një datë e caktuar.
Trump, deklaroi më herët se udhëtimi i tij i parë jashtë vendit do të ishte në Arabinë Saudite.
Ai tha në fillim të marsit se presidentët e SHBA-së, normalisht vizitojnë Londrën pas marrjes së detyrës. Megjithatë, ai u tha sauditëve se nëse ata ishin të gatshëm të investonin 1 trilion dollarë në SHBA, atëherë ai do të shkonte tek ata.
Ceremonia e varrimit të papa Françeskut do të zhvillohet të shtunën në bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe.
Liderët botërorë pritet të marrin pjesë në varrim.
Kreu i Kishës Katolike Romake vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare.