Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagoi sot në lidhje me draftin e Kodit të ri Penal, i cili u prezantua pak ditë më parë. Në një deklaratë për mediet, UGSH shprehu refuzimin ndaj disa neneve të parashikuara në draftin e ri. UGSH nënvizoi se vëren se në tekstin e këtij drafti mbarten rreziqe për lirinë e shprehjes.
“Vërejmë se në nene të veçanta si Neni 236, nën koracën mbrojtëse të simboleve apo heraldikës shtetërore dhe kombëtare përfshihet edhe penalizimi, në rastet kur siç pretendohet në draft, përdhosen emri apo imazhi i Presidentit të Republikës, Kuvendit, Qeverisë etj., ndërkohë që këta titullarë të lartë institucionalë janë persona politikë dhe publikë.
“Dispozita e re në draft, në kapitullin mbi veprat kundër rendit kushtetues, e konsideron “përdhosje” çdo akt që shihet si dhunim ose poshtërim i vlerave të nderuara të institucioneve të përmendura, çka do të krijojë vazhdimisht mundësi për çuarjen e gazetarëve, editorit apo edhe përfaqësuesve të tjerë të mediave shpesh e më shpesh në procese gjyqësore apo paraqitje pranë prokurorëve”, nënvizon UGSH.
UGSH thekson më tej se “nisur nga përmbajtja e plotë tekstuale e draftit, konstaton me shqetësim të madh se ai sjell dhe shkakton një ndikim negativ mbi lirinë e medias dhe shprehjes në republikën tonë”.
“Ky draft paralajmëron mundësinë që vendi ynë, të ketë një Kod të ri Penal që shënon kthim mbrapa për lirinë e shprehjes, dhe shpërfill rekomandimet e direktivave të BE-së dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Dokumenti shpërfill rekomandimin e shumëpërsëritur për dekriminalizimin e shpifjes”, shkruan UGSH.
UGSH kërkoi “riparjen përmbajtësore të neneve 120, 240, 241 si dhe Nenin 865, të cilët sjellin pasoja goditëse jo vetëm mbi gazetarët, por edhe për qytetarët që shprehen me zërin e tyre kritik, përmes mediave”.
“Parashikimet penalizuese në Nenin 536 janë realisht kërcënim ndaj përpjekjeve dhe kurajos për transparencë publike të gazetarëve”, nënvizoi UGSH.
UGSH vlerësoi se “ky draft ka nevojë për rishikim substancial, për riformulime dhe saktësime, për drejtformulime të cilat marrin në konsideratë propozimet që po bëhen nga organizatat e gazetarëve, aktorët e shumtë shoqërorë, ekspertët dhe sidomos përfaqësimet profesionale në entitete rajonale dhe ndërkombëtare për legjislacionin dhe përafrimin e tij me bashkësinë e vendeve të BE-së”.