Mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje u mblodhën në sheshet e Prishtinës për të bërë “prova”se si të protestohet në kohë të pandemisë. Ata kanë paralajmëruar protesta, nëse Gjykata Kushtetuese nuk përkrah idenë e tyre për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.
Qytetarët u mblodhën në sheshet e Prishtinës, në kohën kur Gjykata Kushtetuese pritet të marrë vendim lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit të presidentit, Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për postin e kryeministrit.
Vetëvendosja e Kurtit, e ka kundërshtuar këtë vendim dhe është shprehur për mbajtjen e zgjedhjeve të reja pas pandemisë. Ndërkaq, Thaçi ka thënë se askush nuk ka të drejtë, siç është shprehur ai, të “uzurpojë” pushtetin me metoda jodemokratike.
Në tre sheshe kryesore të Prishtinës janë mbledhur mijëra persona në atë që është quajtur “test-protestë”. Në këtë protestë nuk janë parashikuar fjalime dhe as marshime. Protestuesit qëndruan në distancë fizike me njëri tjetrin dhe me maska e dorëza për shkak të masave kundër përhapjes së pandemisë së COVID-19.
Kryeministri Albin Kurti ka përshëndetur nga ndërtesa e qeverisë masën e protestuesve në sheshin “Skënderbeu”. Ndonëse dje kishte thënë se nuk qëndron prapa organizimit të test-protestës së sotme në qendër të Prishtinës, kreu i Ekzekutivit në detyrë nuk ka hezituar për disa momente t’i përshëndesë të pranishmit.. Kurti shoqërohej nga disa deputetë të Vetëvendosjes.
Ndërkohë në orët e vona të mbrëmjes së sotme ka përfunduar mbledhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Kosovë. Megjithate, vendimi mbi dekretin e Presidentit, Hashim Thaçi për formimin e qeverisë së re do të publikohet gjatë ditës së nesërme.
Tetë anëtarët e kësaj gjykate do të duhet të shprehen nëse formimi i qeverisës së re nga Lidhja Demokratike e Kosovës është konform Kushtetutës apo jo.
Në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar, parti e parë doli Lëvizja Vetëvendosje dhe drejtuesit e saj pretendojnë se e drejta për formimin e qeverisë i takon asaj dhe pas mocionit të mosbesimit, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Ende nuk dihet se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por alternativat e mundshme janë që përveç hapjes së rrugës për formimin e një qeverie të re dhe nga ana tjetër shfuqizimit të dekretit të Presidentit, mund të vendoset që t’i ri jepet sërish e drejta për formimin e qeverisë VV-së.
© Argumentum