Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar publikimin e sondazheve pas rrëzimit të qeverisë “Kurti”. Kjo parti po vlerëson se nëse zgjedhjet do të mbaheshin në muajin qershor, partia e tyre do të fitonte 52.7 për qind, apo 56 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Ndërkaq, pasohet nga PDK-ja dhe LDK-ja me rreth 15 për qind.
Në publikimin e sondazhit të realizuar nga kompania “Ubo Consulting”, nënkryetari Besnik Bislimi tha se, marshi i gabimit mund të jetë plus-minus 3 për qind.
“Kjo do të kishte qenë shpërndarja e ulëseve në parlament nëse zgjedhjet do të mbaheshin në qershor. Shihet një dominim i plotë i LVV-së. E thash edhe më herët se nëse bëhen të gjithë bashkë prapë janë pakicë, e shihni se PDK në sondazhe tashmë ka dal në vendin e dytë para LDK-së edhe pse kanë numër të njëjtë të ulëseve, por në përqindje janë 15.9 respektivisht 15.8 për qind. AAK-ja është diku 8 për qind, apo tetë ulëse. Lëvizja Vetëvendosje ka 52.7 për qind, apo përkthyer në ulëse 56 ulëse”, tha ai.
Bislimi bëri të ditur se sondazhi është realizuar në muajin qershor dhe sipas tij, lideri i VV-së Albin Kurti ka përkrahje prej 48 për qind për të qenë kryeministër. Ndërsa përkrahja ndaj qeverisë Hoti sipas tyre gëzon përkrahjen e vetëm 9 për qind të qytetarëve.
“Ky hulumtim i ka 1060 të pyetur, sondazhi është kryer nga i cili është institucioni më kredibil në Kosovë dhe rajon sa i përket hulumtimeve të opinionit publik. Është kryer nga data 6 deri më 16 qershor”, tha ai.