Nga Eljanos Kasaj
Pas deklaratës së djeshme të Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Federatës Ruse (Служба внешней разведки Российской Федерации) ku pretendohej se Bashkimi Evropian po përgatit një “Majdan serb” në Serbi, nga Novi Pazari ka mbërritur një iniciativë e re – bllokadorët kërkojnë dëbimin e ambasadorit rus dhe ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Moskën!
Një nga llogaritë që mbështesin hapur protestat, “Pazar je svijet”, publikoi një mesazh në platformën sociale X duke sugjeruar që ambasada ruse në Beograd të “mbyllet”. Kjo kërkesë e përkeqëson më tej klimën politike, pasi vjen në një kohë kur debati publik është tashmë duke u zhvilluar rreth përfshirjes së faktorëve të huaj në zhvillimet politike në Serbi.
Ndërkohë Moska paralajmëroi ditën e djeshme se “çmimi i Majdanit në Serbi” është mundësia e zhvillimeve të përgjakshme, ndërsa qëllimi, siç deklaruan ata, është të sjellin në pushtet një “qeveri besnike ndaj Brukselit”. Këto paralajmërime u shoqëruan me një raport të Agjencisë së Inteligjencës së Jashtme të Federatës Ruse ,e cila theksonte se agjencitë serbe të lajmeve si FoNet, RAM Network, Vreme, Juzne Vesti, Slobodna rec, Boom93, Podrinske, Freemedia, Indjija, SOinfo, FAR, Storyteller, si dhe Link NGO, marrin mbështetje të konsiderueshme financiare nga OJQ-të e lidhura me Brukselin”.
Kjo valë revolte ndaj influencës së faktorëve të huaj , u pasua nga deklarata e bllokuesve të Shkollës së Lartë të Shkencave të Shëndetit(Висока здравствена школа), të cilët iu referuan konkretisht Rusisë dhe Bjellorusisë në postimet e tyre.
“Cilën rrugë duhet të ndjekë Serbia? Serbia nuk duhet të ndjekë rrugën e Rusisë apo Bjellorusisë. Pavarësisht se sa shumë njerëzit simpatizojnë regjimet atje, nuk mund t’i mbyllësh sytë ndaj faktit se këto janë diktatura”, deklarojnë ata.
Në një deklaratë tjetër, bllokuesit i krahasojnë protestat në Beograd me protestat në Minsk në vitin 2020-2021, duke akuzuar autoritetet bjelloruse për “shtypje brutale” dhe duke i quajtur presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin bjellorus Alexandr Lukashenka diktatorë.
“Në Rusi dhe Bjellorusi, kanë të njëjtat trupa, detashmente kozake dhe struktura parapolicore që shërbejnë për të frikësuar. Shumë ngjashmëri, apo jo?” – thonë bllokuesit, duke i bërë thirrje publikut në Serbi të mos e pranojë narrativën për “vëllezërit rusë”.
Në bazë të këtyre deklaratave duket qartë se pavarësisht frymës vëllazërore të propaganduar prej vitesh prej kambineteve qeveritare serbe post-Gjingjiq dhe organizatave kulturalo-humanitare ruse në Serbi, rinia serbe e gjen veten të lidhur me Rusinë dhe Bjellorusinë po aq sa dhe rinia jugosllave gjatë periudhës së Jugosllavisë së Titos, duke u kthyer kështu në vendin e tretë pas Azerbajxhanit dhe Armenisë që është duke dalë pak-nga-pak nga zona e influencës ruse, shkak ky që ka si fajtor më shumë se sa “miliardad paguara prej shërbimeve sekrete Perëndimore”(siç deklaron presidenti Vuçiq) , narrativën e ashpër dhe atakuese që diplomacia dhe media ruse kanë pasur kundrejt protestave anti-korrupsion të studentëve dhe shoqërisë civile serbe ose akuzat e padrejta të saj për tentativë për të realizuar një “revolucion me ngjyra”në Serbi. Qëndrime politike këto që qëndrojnë shumë larg racionalitetit të atyre që elitat qeveritare,media dhe inteligjencia ruse kishin gjatë viteve kaotik 1999-2000, dhe që ashtu si një kamë janë duke prere arterien e fundit në Evropë të Rusisë, e cila e lidhë dhe ndihmon popullin rus të komunikojë me kulturën,politikën dhe shoqërinë evropiane, kundrejt realiteteve zamjatiane që po përjeton sot Rusia.
/Argumentum.al